Aktuale

Vendosja e radarëve nëpër rrugë, policia kërkon ndihmën e ministrive dhe komunave

Me dhjetëra aksidente brenda një dite ndodhin në Kosovë, kurse të shpeshta kanë qenë rastet kur ka pasur edhe të vdekur. Policia po kërkon që sa më parë të fillohet me vendosjen e radarëve nëpër rrugët kryesore të Republikës së Kosovës, pasi kjo do të ndikonte në zvogëlimin e rasteve të shkeljeve ligjore në trafik.

Me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të rasteve të shkeljeve ligjore në trafik, institucionet e vendit patën planifikuar vite më parë vendosjen e radarëve me kamera në çdo rrugë nacionale të Republikës së Kosovës.

Por, edhe pse një projekt i tillë është paraparë të fillojë qysh në vitin 2017, vendosja e radarëve tani nuk është fare në plan të parë për institucionet vendore, duke përfshirë policinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Në një përgjigje me shkrim dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarë nga Policia e Kosovës nuk kanë cekur se kur do të ndodh vendosja e radarëve statik.

Ata vetëm kanë theksuar se vendosja e radarëve ose matësve të shpejtësisë do të ketë ndikim të madh në identifikimin e shkelësve të rregullave në trafikun rrugor, e rrjedhimisht do të ndikonte edhe në zvogëlimin e rasteve të shkeljeve ligjore në trafik.

“Vendosja e radarëve statik dhe prania e tyre në rrugë është e nevojshme dhe e domosdoshme, pasi do të ndihmonte në identifikimin e kundërvajtësve, respektivisht shkelësve të rregullave në trafikun rrugor e sidomos atyre që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, si në autostradë, rrugët nacionale, lokale dhe rrugë te tjera”, thuhet në përgjigje.

Edhe pse njësitet patrulluese të policisë posedojnë radarë mobil për matjen e shpejtësisë, sipas zyrës për informim objektiv mbetet marrja e pajisjeve më të avancuara sa i përket kontrollimit dhe monitorimit të trafikut rrugor.

“Pajisjet për matjen e shpejtësisë të cilat i posedon dhe përdor aktualisht policia mundësojnë identifikimin dhe dëshmimin e kundërvajtjes, mirëpo një ndër objektivat është që në vazhdimësi të kemi pajisje të avancuara sa i përket kontrollimit dhe monitorimit të trafikut rrugor. E duke pasur parasysh procedurat është vështirë të jepet ndonjë afat kohor për avancim të mëtejmë të pajisjeve”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë.

Me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të rasteve të shkeljeve ligjore në trafik, nga fillimi i vitit 2018 janë ashpërsuar masat ndëshkuese, por statistikat nuk kanë treguar ndonjë përmirësim edhe pas këtyre masave shtrënguese.

Sipas zyrës për informim të Policisë, këtu rol mund të luajë vendosja e radarëve statik, por ky projekt kërkon edhe bashkëpunimin e gjithë akterëve të tjerë institucional.

“Çështja e rregullimit të infrastrukturës dhe sinjalistikës rrugore kërkon bashkëpunim, mbështetje dhe përpjekje intensive edhe nga akterët tjerë institucional si nga niveli lokal-komunal, por edhe ai qendror-ministror”, thuhet në përgjigjen e policisë./FaktePlus