Aktuale

Verifikimi i listave, deklarohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar pas verifikimit të listave për kandidatë për zgjedhjet e 14 shkurtrit, shkruan Gazeta Express.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) bazuar në ligj, në Memorandumin e Bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kërkesën e datës 18.01.2021, ka përfunduar verifikimin e 1081 kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme të datës 14.02.2021”, thuhet në njoftim.

Më tutje në njoftim thuhet se KGJK’ja e ka kryer obligimin e vet për dorëzimin e emrave në afatin kohorë të përcaktuar.

“Listat e kandidatëve janë dorëzuar në KQZ brenda afatit të përcaktuar në kërkesë. Me këtë rast, Këshilli ka përfunduar obligimin e vet në lidhje me këtë proces”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Në ndërkohë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se nga të dhënat e KGJK’së, 47 kandidatë janë gjendur fajtorë për vepra të ndryshme penale.

“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për çertifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, ka thënë Elezi.

Elezi ka treguar se 15 nga 28 subjekte kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin. Për emrin e këtyre kandidatëve, Elezi ka thënë se u mbetet partive që t’i bëjnë publik emrat./Gazeta Express