Aktuale

Veseli: Diplomacia duhet të bëhet promovuesi kryesor i mundësive ekonomike të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në konferencën “Diplomacia ekonomike e Kosovës ‘Made in Kosova’”, në të cilën po marrin pjesë ambasadorë të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve e prodhuesve vendorë.
Kryeparlamentari Veseli tha se zhvillimi ekonomik është faktori numër prej të cilit varen të gjitha proceset tjera në vend.

Ai tha se vetëm një rritje e fuqishme ekonomike siguron ngritje të nivelit të punësimit në vend, rrjedhimisht edhe ngritje të standardit jetësor të qytetarëve tanë, si dhe mundësi të investimeve kapitale në sektorët tjerë vitalë për shoqërinë.

“Nuk do të mund të vazhdojmë gjatë duke mbajtur trendet e rritjes ekonomike, duke u bazuar kryesisht në investimet publike. Ne synojmë të jemi një ekonomi e konsoliduar e tregut të lirë, prandaj shteti nuk mund të zëvendësoj sektorin privat. Përkundrazi, shteti duhet të investojë në ato politika që kanë për efekt krijimin e një ambienti të favorshëm për potencialin zhvillimor të sektorit privat. Ky orientim nuk duhet të shihet vetëm si çështje kompetencash e këtij apo atij mekanizmi, e kësaj apo asaj ministrie. Angazhimi në këtë orientim na takon të gjithëve”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Duke u ndalur të mundësitë që ofron diplomacia ekonomike, Veseli tha se mungesa e burimeve financiare është një barrierë serioze në zgjerimin e kapaciteteve diplomatike të Kosovës, por kjo, sipas tij, nuk duhet të jetë arsye që të injorohet dimensioni i diplomacisë ekonomike. Republika e Kosovës, shtoi kryetari Veseli, ka nevojë jetike për thithjen e investimeve të huaja dhe diplomacia jonë duhet të shndërrohet në hallkën e parë të komunikimit të vendit tonë me investitorët e jashtëm.

“Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për një transformim të shpejtë nga një ekonomi mbijetese në një ekonomi të zhvilluar, nga një ekonomi tregtare, në ekonomi prodhuese, nga një vend importesh në vend që mund të eksportojë në tregjet e huaja. Burimet e mëdha natyrore, fuqia punëtore vitale, afërsia gjeografike me vendet e zhvilluara, janë tregues atraktiv për kapitalin e huaj”, tha kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se Kosova është një vend ku mund të ketë sipërmarrësi te garantuar, prej të cilës mund të fitojnë të tre palët: investuesit, qytetarët dhe shteti i Kosovës.

Ai tha se diplomacia duhet të bëhet promovuesi kryesor i mundësive ekonomike të Kosovës dhe kjo duhet të bëhet çdo ditë, gjatë 365 ditëve të vitit. Veseli shtoi se diplomacinë ekonomike duhet bërë kriter themelor në përformancën e diplomatëve të vendit tonë. Kreu i Kuvendit tha se ambasadat e Kosovës duhet të ngrisin fokusin e tyre ekonomik, nga niveli i atasheve individual ekonomikë, në nivel të departamenteve ekonomike që hulumtojnë kërkesat e investitorëve potencialë dhe orientojnë këto kërkesa drejt Kosovës.

“Na duhet të përfitojmë nga trendi global i zhvendosjes së kapitalit investiv nga vendet me ekonomi shumë të zhvilluar drejt vendeve në zhvillim. Duhet të braktisim iluzionin se përmirësimi i gjërave vjen vetvetiu. Nëse nuk veprojmë, nëse nuk angazhohemi me gjithë energjitë tona, askush nuk do të merret me ne. Kosova ka mundësi dhe do të bëhet një rrëfim suksesi ekonomik”, theksoi kryetari Veseli.

the authorE B