Aktuale

Veseli e quan të “lodhtë” dhe të papërgjegjshme punën e Qeverisë Hoti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i pyetur për 100-ditëshin e punës së Qeverisë Hoti ka thënë se kjo qeveri nuk po bën punën e duhur për qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se ajo çfarë po ndodh në Kuvend me Pakon e Rimëkëmbjes tregon punën e këtij koalicioni. Veseli ka kritikuar Hoti se po sjell në Kuvend projektligje pa i pasur votat.

“Puna e Qeverisë aktuale, nëse mund të shprehem me fjalë të popullit është e lodhët dhe e papërgjegjshëm. Duke qenë se jo shpesh mund të ketë në opozitë një parti si PDK që ka qenë e gatshme të bashkëpunojë për të mirën e qytetarëve. Kjo qeveri po varfëron qytetarin”, ka thënë ndër të tjera Veseli.

Veseli i pyetur për deklarimet e kreut të LDK-së, Isa Mustafa se ka hequr vijat e kuqe ndaj PDK-së, ka thënë se nuk i di qëndrimet e të tjerëve, por që nuk është mirë që për çështje votash të bëhen deklarime për rreth vijave të kuqe.

“Unë nuk di se cili është pozicioni i tjerëve por në politikë kam kërkuar që të mos ketë vija të kuqe. Nuk i takoj një kontigjenti të tillë dhe mendoj se edhe fitorja në zgjedhje duhet të jetë e ndershme. Sido që të jetë mua nuk më përkon kjo pyetje sepse unë nuk kam bërë vija të kuqe dhe mendoj se asnjëherë nuk duhet të vendosen vijat e kuqe”, ka thënë Veseli.

the authorGazetaKNN