Aktuale

Veseli merr mbështetjen e Italisë për integrimet evropiane të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në takime të veçanta nga drejtuesit e të dy dhomave të Parlamentit të Italisë, kryetarja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini dhe nga kryetari i Senatit, Pietro Grasso.

Në këto takime, u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, për ndihmën që Italia i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj që nga lufta e këtej, si dhe për fushat në të cilat mund ta mbështesë Kosovën në të ardhmen.

Kryeparlamentari Veseli e ka ftuar kryetaren Boldrini për vizitë zyrtare në Kosovë, ku u pajtuan që të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet të cilës Italia do ta mbështesë Kosovën në reformat e nevojshme për integrime evropiane.

Kryetari Veseli i njoftoi drejtuesit e lartë të shtetit italian për proceset në të cilat ndodhet Kosova aktualisht, në kuadër të integrimeve evropiane, për angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe detyrat që dalin për Kuvendin në këtë proces, në fushën e legjislacionit.

Kreu i Kuvendit tha se integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO është orientim strategjik i Kosovës, ndërsa e ka falënderuar shtetin italian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini dhe kryesenatori italian, Pietro Grasso, konfirmuan përkrahjen e Italisë për proceset e integrimit evropian të Kosovës, duke shtuar se tashmë Kosova ka hyrë në një kapitull të ri dhe shumë shpresues për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës zyrtare në Romë, kryeparlamentari Veseli ka zhvilluar takime edhe me senatorët Aldo Di Biagio dhe Francesco Scalia, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Kosovës dhe Italisë./KosovaPress/