Sport

Veseli merr një lajm të mirë (Foto)

Çështja e Frederik Veselit më në fund është zgjidhur. Mbajtësi i Kombëtares shqiptare mund të luajë zyrtarisht me Empolin

Merr fund pritja për Frederik Veselin. Prej ditës së sotme, mbrojtësi i Kombëtares është në dispozicion të Empolit për t’u aktivizuar në futbollin italian. Klubi i Serisë A e ka bërë të ditur lajmin përmes një komunikate zyrtare.

“Empoli njofton se ka kompletuar teserimin e Frederik Veselit. Lojtari ka nënshkruar një kontratë deri më 30 gusht 2018”, thuhet në komunikatën e klubit toskan.

23-vjeçari iu bashkua Empolit gjatë afatit kalimtar të verës nga Lugano, por zviceranët bllokuan transferimin me pretendimin se qendërmbrojtësi kishte një kontratë të vlefshme me ta.

Situatën e ndërlikonte edhe fakti që rregulloret zvicerane dhe ato italiane për zgjidhjen e çështjeve të tilla nuk janë të njëjta, ndaj për zgjidhjen e problemit u desh një betejë ligjore.

Mbrojtësi i cili debutoi zyrtarisht me Shqipërinë në Kampionatin Evropian kishte edhe një vit të mbetur në kontratën me Luganon, por u largua duke përdorur një klauzolë e cila i jepte mundësinë që të rishikonte parametrat financiarë dhe nëse nuk binte dakord, mund të ikte nga klubi zviceran.

Drejtuesit e Luganos deklaruan se kishin mbetur të zhgënjyer nga ky veprim i lojtarit, të cilit në fakt i kishin propozuar rinovimin duke i përmirësuar kushtet financiare të kontratës.