Aktuale

Veseli takon senatoren Ernst, konsideratë të lartë për mbështetjen e SHBA’ve (Foto)

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, priti në takim, senatoren republikane nga Iowa, Joni Ernst, me të cilën diskutoi për të arriturat dhe sfidat e institucioneve në Kosovë. 

Kryeparlamentari Veseli shprehu konsideratën më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme nga ShBA-ja, duke e vlerësuar si të jashtëzakonshme, sidomos partneriteti civil-ushtarak me shtetin e Iowa-s.

Më tej, ai e njohu senatoren Ernst me agjendën legjislative, procesin nëpër të cilin po kalon shtetësia e Republikës së Kosovës, si dhe ndjeshmërinë e këtyre proceseve. Kryetari Veseli vuri në dukje se institucionet janë të përkushtuara për sundimin e ligjit, ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe procesin e integrimit euro-atlantik.

Senatorja Ernst përgëzoi kryeparlamentarin Veseli për të arriturat e Republikës së Kosovës, duke inkurajuar dhe shprehur përkrahje për zhvillimet pozitive në vend dhe rajon. Në veçanti, ajo theksoi se Iowa është e përkushtuar për mbështetje në realizimin e agjendës ekonomike, si dhe të ardhmen integruese euro-atlantike.

Veseli theksoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është pasuri e veçantë e vendit dhe qytetarëve të Kosovës, e ndërtuar mbi vlerat e qëndrueshme për liri dhe demokraci, me interesim për thellimin e bashkëpunimit në fushat e veçanta si sigurinë, bujqësinë dhe transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.