Aktuale

Veseli takon studentët kosovarë në Hungari

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Budapest studentët kosovarë që studiojnë në universitetet e Hungarisë, sipas një burse të dhënë nga qeveria hungareze.

Siç njofton Zyra e kryeparlamentarit, Veseli i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Hungari, Luljeta Vuniqi, ka diskutuar me studentët kosovarë për përvojën e deritashme të marrë në shtetin hungarez, ndërsa kanë dëgjuar edhe shqetësimet dhe kërkesat e tyre për institucionet e Kosovës, transmeton KosovaPress.

Veseli i njoftoi studentët kosovarë se vitin e ardhshëm, sipas marrëveshjes me Qeverinë e Hungarisë, numri i studentëve kosovarë që do të përfitojnë bursa studimi për në këtë vend, do të rritet për 50 studentë.

Ai i inkurajoi studentët që të përkushtohen maksimalisht ndaj studimeve dhe pas përfundimit të tyre të kthehen dhe të japin kontribut në Kosovë.

Studentët e falënderuan kryeparlamentarin Veseli për mikpritjen që ua bëri në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Hungari, ndërsa kërkuan mundësi dhe bashkëpunim të institucioneve kosovare për t’u ofruar të dhëna të nevojshme gjatë përgatitjes së temave të diplomës.

Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli i siguroi se çdo informacion i nevojshëm për ta do të sigurohet dhe do tu ofrohet në shërbim çdo kapacitet i Ambasadës së Kosovës në Hungari./KosovaPress/