Aktuale

Veseli: Të mos merremi me njëri-tjetrin, por të merremi me Serbinë

Kadri Veseli, ka thënë se Kosova në vitin 2018, pavarësisht prej sfidave që ka pasur, ka shënuar përparim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se Kosova në vitin 2018, pavarësisht prej sfidave që ka pasur, ka shënuar përparim.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se po bëhen reforma të thella në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë dhe në atë të ekonomisë.

“Nëse e marrim në tërësinë e saj, Kosova në të gjitha fushat ka shënuar përparim. Natyrisht, kemi edhe sfida të cilat duhet t’i adresojmë në mënyrë të duhur”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se sfidë për Kosovën do të jetë Gjykata Speciale por, sipas tij, nga kjo sfidë Kosova do të dalë edhe më e fuqishme.

Veseli e ka ftuar spektrin politik të flasë me një zë për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ai thotë se në këtë proces partitë duhet të përballen me Serbinë e jo me njëra-tjetrën.

“Është mbarëvajtje e takimeve që do të mbahen në Bruksel, në fazën finale të dialogut. Ne jemi të vendosur që si shtet i pavarur dhe sovran ta përçojmë mesazhin e qytetarëve tanë në këtë proces se Kosova synon të ketë një marrëveshje me Serbinë, e cila nuk është as më shumë e as më pak sesa Kosova shtet i pavarur dhe sovran dhe që me territorin e saj të njihet nga shteti i Serbisë dhe që Kosova ta fitojë ulësen në OKB”.

Ndërsa në pyetjen se pse, me gjithë ftesën e bërë nga ai, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, nuk ishin pjesë e një takimi, Veseli ka thënë se është në përgjegjësinë e tyre.

“Por, të gjithë duhet ta dinë se si pozita ashtu edhe opozita kanë përgjegjësi institucionale kushtetuese ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit. Secili duhet t’i marrë këto përgjegjësi. Ikja nga përgjegjësia është papërgjegjësi. Abuzimi me të vërtetën dhe manipulimi për qëllime elektorale mund t’i ndëshkojë partitë pikërisht për këtë fakt. Ne të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Me vetë faktin se në këtë proces përballë do ta kemi Serbinë, ne nuk duhet ta kemi përballë njëri-tjetrin. Spektri politik duhet të jetë unik kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të Kosovës sepse çdo formë tjetër e veprimit është kundër interesit të Kosovës”, ka thënë ndër tjerash Veseli.

the authorBurbuqe Metolli