Aktuale

“Vështirë se do ta sjellë liberalizimin edhe Qeveria Haradinaj”

Njohësi i çështjeve politike në vend Krenar Shala është shprehur mjaft pesimist sa i përket qeverisjes Haradinaj.

Sipas Shalës, as gjatë kësaj qeverisje  qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin lirshëm.

“Jo, nuk besoj që do të ketë liberalizim të vizave deri sa është klanti Pronto në pushtet.  Nuk besoj po ashtu, që decentralizimi është kushti i vetëm për liberalizimin e vizave”, tha Shala në një deklaratë për Gazeta Blic.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj sot zyrtarisht  ka marrë drejtimin e e Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj kishte premtuar se me të marrë qeverinë, Kosova brenda një periudhe 3 mujore do të marrë liberalizimin e vizave.Ndërkaq, në një intrevistë të dhënë dje për media ka thënë se versioni aktual i demarkacionit është gabim, dhe se ka premtuar zgjidhje të shpejt të kësaj çështjeje dhe marrje të shpejt të liberalizimit, ndonëse nuk ka përmendur afate kohore.

“Parimet e mia politike nuk bazohen në rast të opozitës apo pushtetit, unë mbroj atë që besoj dhe deklarohem për atë që besoj. Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta, pra ne do të korrigjojmë këtë. Është një fat i madh që Mali i Zi është një vend fqinj, ne ju kemi gëzuar përparimeve të Malit të Zi, veçanërisht anëtarësimit në NATO e që synojmë edhe ne të anëtarësohemi në NATO dhe nuk shoh vështirësi të mëdha në këtë temë. Pra, besoj që do të gjendet një dalje e shpejtë nga gjendja ekzistuese, por nuk po precizoj tani cilët hapa do të ndërmarrim por do të gjendet një dalje e shpejtë nga kjo gjendje dhe nuk do të vonojmë liberalizimin e vizave”, ka theksuar ai.