Ekonomi

Vetëm edhe 4 ditë kohë për aplikim, këta janë përfituesit e Pakos Emergjente

Janë me dhjetëra mijëra punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, si dhe me mijëra biznese që kanë parashtruar ditëve të fundit kërkesa në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në mënyrë që të përfitojnë mbështetje nga pakoja emergjente fiskale e Qeverisë së Kosovës. E të tillëve iu kanë mbetur edhe vetëm 4 ditë për të aplikuar për pakon emergjente të qeverisë.

Qeveria e Kosovës nga mesi i muajit mars 2020 mori vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

E për këtë pako kanë aplikuar mbi 170 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë të cilët kanë bërë kërkesë për kompensim të pagave bazuar në Pakon Emergjente Fiskale.

Nga data 11 prill kur ka filluar aplikimi për përfitime nga pakoja fiskale deri të premten në ATK kërkesa për kompensim dhe subvencionim të qirasë kanë paraqitur mbi 40 mijë biznese.

E nga Ministria e Financave kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se deri më tani janë ekzekutuar 40 milionë euro.
“ Deri më tani Ministria e Financave dhe Transfere ka ekzekutuar mbi 40 milionë euro për kategoritë ë ndryshme përfituese të pakos emergjente e miratuar nga ana e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Për cilat kategori kanë filluar pagesat?

Nga ministria e financave bëjnë të ditur se kanë përfunduar pagesën për skemën sociale (për 3 muaj), Pagesa shtesë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale nën 100 euro (3 muaj) po ashtu është bërë mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës emergjente, dhe është bërë sigurimi i shtesës mbi pagën në vlerë 300 euro për punonjësit e sektorëve esencial të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit (2 muaj)

“Pagesat prej pakos kanë filluar për Masën 1, 2, 3 (a dhe c), dhe 6” thuhet në përgjigjen e zyrës për media nga kjo ministri.

Në anën tjetër nga Ministria e Financave kanë theksuar se për pakon me përfitim prej 130 euro pagesat do të përfundojnë sapo të bëhet shqyrtimi i aplikacioneve.

Ndër të tjera kjo ministri ka treguar se për aplikacionet të cilat janë dërguar në muajin prill, pagesat kanë përfunduar.

“ Pagesa për Masen 8, 14 dhe 15 (për 130 euro) do të procesohet sapo shqyrtimi i këtyre masave të përfundoj. Ekzekutimi i mjeteve bëhet në mënyrë të vazhdueshme. Aplikacionet të cilat kanë ardhur deri afër fundit të muajit prill janë shqyrtuar dhe janë ekzektuar pagesat. Për aplikacionet të cilat dërgohen deri më 15 maj, do të bëhet shqyrtimi i tyre dhe ekzekutimi më së largu deri në fund të muajit maj”, thuhet në mes tjerash në përgjigjen e ministrisë dërguar FaktePlus.

Kush janë përfituesit e pakos emergjente?
Pakoja Fiskale Emergjente e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës:

Masa 1– Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale (3 muaj);

Masa 2- Pagesa shtesë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale nën 100 euro (3 muaj);

Masa 3- Mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës emergjente, dhe atë:

(a) Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro ( 2 muaj)

(b) Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;

(c) Mbulim i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim.

Masa 4- Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike (kthimi bëhet deri në fund të vitit 2020);

Masa 5- Sigurimi i mbështetjes financiare për Komuna e Republikës së Kosovës (total prej 10 milionë euro);

Masa 6- Sigurimi i shtesës mbi pagën në vlerë 300 euro për punonjësit e sektorëve esencial të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit (2 muaj);

Masa 7- Pagesë shtesë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve (2 muaj);

Masa 8- Pagesa e asistencës mujore prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente (regjistrimi bëhet përmes ATK-së dhe kjo masë është për 2 muaj);

Masa 9- Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikë e Kosovës, e të cilët janë goditur rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milionë (2,000,000.00 €) euro;

Masa 10- Sigurimi i likuiditetit financiar për dy kategori:

(a) Mikro-ndërmarrjet dhe të vetë–punësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit Kosovar për Garanci të Kredive, në shumën deri në dhjetë mijë (10, 000 €) euro për periudhën 2 vjeçare, në vlerë deri në pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro.

(b) Shoqëritë Tregtare/Kompanitë e autorizuara të cilat ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar të pikës 1.4 të vendimin për Pakon Fiskale Emergjente.

Masa 11 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë euro (5, 000,000.00 €) euro;

Masa 12 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga gjendja e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00€) euro;

Masa 13 – Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10, 000,000.00€) euro;

Masa 14 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130€) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00€), euro;

Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130€) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, e që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga Buxheti i Kosovës, dhe kjo për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00€) euro

Ndryshe me qëllim të mos përhapjes së pandemisë COVID19, Qeveria e Kosovës nga 13 marsi ka marrë vendim për mbylljen e shumë bizneseve në vend.

Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milionë euro /FaktePlus/.