Aktuale

Vetëvendosje kërkon nga PDK-ja që t’ia lirojë zyrat si Grup Parlamentar

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka zhvilluar një debat të gjatë lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vendvendosje për interpretim ligjor për ndarjen e drejtë të hapësirave të grupeve parlamentare brenda Kuvendit.

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi është grupi më i madh parlamentar , Kryesia dhe Kuvendi nuk po ndajnë hapësirën që i takon. Ai ka kërkuar të respektohen praktikat e mëhershme .

Por kjo kërkesë ka nxitë reagime se ky Komision nuk mund të zgjidh këtë problem. Ka qenë deputeti ga LDK-ja Arben Gashi, i cili ka propozuar që t’i rekomandojnë Kryesisë që ta respektojë rregulloren e Kuvendit, kërkesë kjo e cila është përkrahur nga të gjithë anëtarët e Komisioni.

“Ne kemi pritur që të zbatohet ajo praktikë e cila gjithmonë është aplikuar në Kuvendin e Kosovës e për të cilin kam me vete edhe dokumente. E kam proces verbalin e mbledhjes së Kryesisë të vitit 2008. Pas fundit të 2007 kur PDK-ja , iu kujtohet PDK-ja pat dal grupi më i madh parlamentar në zgjedhje nacionale dhe atëherë sipas Rregullores së Kuvendit dhe duke iu referuar asaj pike të caktuar e cila thotë që hapësirat në Kuvend duhet të ndahet sipas madhësisë së grupeve parlamentare pat zënë vendin ku ka qenë LDK-ja . Pra aty ku tash ndodhet PDK-ja aty ka qenë LDK-ja deri në janar të vitit 2008…Problemi tjetër është që aty hapësirat ku funksionin sot Vetëvendosje mund të themi se është një zyre e cila i ka 6 ulëse ….Unë ju lus që të jeni racional që të jemi në sipas detyrave tona edhe ne në fund të fundit për ta mundësuar lojën fer. Të ndershëm të gjithë të jemi të barabartë t’i gëzojmë”, tha Konjufca.

Ai po ashtu ka sqaruar para anëtarëve të Komisionit se këtë çështje Vetëvendosje e ka ngritur edhe në Kryesi, e që sipas Konkufcës sekretaria e Kuvendit u ka thënë që praktika e deritashme ka qenë që grupi më i madh parlamentar dhe grupi i dytë të merren vesh, por që siq tha ai është nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti ai që ka refuzuar.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së Hajdar Beqa, tha se në kohën kur PDK-ja e ka marrë zyrën nga LDK-ja, Kuvendi ka pasur hapësirë më të madhe. Ndërsa në vitin 2017 Kuvendi ka shumë më shumë hapësira dhe mund t’i ndahet një zyrë tjetër Vetëvendosjes.

Por sipas Beqajt kjo nuk është punë e Komisionit, por e Kryesisë.

“Nuk është e drejtë të kërkohet që ose të aludohet që të del një grup prej një zyre të vjen një grup tjetër. Nëse referohemi në 2008- Kuvendi ka pasur një hapësirë shumë më të vogël se sa në 2017….Unë konsideroj që nuk është kompetencë edhe ashtu kryetari i grupit parlamentar Konjufca na u ka drejtuar për interpretim jo për me gjet objekt. Unë konsideroj që është kompetencë e Kryesisë edhe administratës për me e zgjidh këtë problem”, tha Beqaj.

Deputeti nga LDK-ja Arben Gashi tha se në këtë rast Komisioni ka mundësi vetëm t’i rekomandojë Kryesisë që të respektojë Rregulloren e Kuvendit. Ai tha madje se është shumë e qartë për Kryesinë dhe e ka për detyrë të respektojë rregulloren.

“Neni 15.13 thotë, shumë qartë; Kryesia vendos për mjetet financiare për rregullat, akomodimin dhe për pajisjen e deputetëve të zyrtarëve të administratës të stafit të Kryesisë dhe të stafit të grupeve parlamentare . Pra ne krejt çka mundemi me thënë prej kësaj mbledhje është që të respektohet rregullorja. Si Komision na takon me kërkua respektim të rregulloreve kështu qe i rekomandohet Kryesisë që të respektoj rregulloren”, tha Gashi.

Komisioni për Legjislacion sot ka shqyrtuar raportin vjetor të punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2016.

Ky komision shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-007 për procedurën jo-kontestimore dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2004/26 për trashëgiminë në Kosovë./KP