Aktuale

Vetëvendosje sulmon Shpend Ahmetin me cunga nëpër stacione të autobusëve

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosjes në Prishtinë ka organizuar një aksion simbolik, ku kanë vendor cunga në stacionet e autobusëve urban në Prishtinë në mungesë të pritoreve dhe strehëve. Sipas tyre, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk po punon në reformimin e transportit publik, ku gjatë fushatës së tij në zgjedhjet e fundit kishte premtuar stacione moderne për qytetarët e Prishtinës.
Tropikë Agaj aktiviste e VV-së tha se Ahmeti nuk po iu përmbahet premtimeve të dhëna.

“Reformimi i transportit publik është një nevojë e madhe për qytetarët sepse prek të gjitha lokalitetet dhe qytetarët dhe banorët pa dallim moshe dhe profesioni, nga 2013 është dhënë premtimi për reformim për transport publik sepse kemi pa një nevojë për reformimin e transportit publik, pika kyçe ka qenë reformimi i transport ku e kemi fituar edhe mandatin me kryetarin gjatë zgjedhjeve të fundit që ka dhënë premtime për këtë, nëse vazhdojmë me këtë vazhdë shohim se kryetari Ahemti nuk po ju përmbahet premtimeve të dhëna”, tha Agaj.

Agaj tha se Ahmeti kishte premtuar parkingjet me lidhje jashtë zonës së Prishtinës , premtime për bileta të integruara me transport publik që biletat do të ishin dy ditore, një përdorimëshe, një javore dhe një mujore por sipas saj këto reformime as nuk kanë nisur.

“Me reformimin e transportit publik do kishim lirim nga transporti dhe trafiku që po kanos vendin, 40% vijnë jashtë zonës së Prishtinës dhe po krijojnë kaos të madh për gjithë dhe cilësia e ajrit është një cilësi jo e mirë dhe problemi me shëndet që po u krijohet qytetarëve”, shtoi Agaj.

Egzon Ademi, aktivist i VV tha se ky aksion është në shenjë pakënaqësie për qeverisjen e Ahmetit në Prishtinë dhe se premtimet e dhëna ndaj qytetarëve janë lënë në harresë.

“Kemi vendos me këtë aktivitet simbolik të tregojmë se premtimet e dhëna për qytetarët nuk po realizohen, pritoret e reja të stacionit janë një nga premtimet e harruara të kësaj qeverisje”, tha Ademi.

Ai tha se Ahmeti kishte premtuar stacione moderne, por kjo nuk është realizuar dhe stacionet ku presin qytetarët autobusin janë edhe pa strehë dhe moti i ftohtë po ua vështirëson pritjen.

“Shpendi gjatë balotazhit të vitit të kaluar premtoi se në 2018 do të përfundonte reforma e transportit publik që përfshin edhe pritoret e reja me ulëse e strehë moderne me wi-fi e harta në linjave, tani jemi në fund 2018 dhe një gjë e tillë as nuk ka nisur, nuk kanë as ulëse e as strehë ku qytetarët re presin autobus”, tha Ademi.

Ademi tha se komuna e Prishtinës ka fonde të mjaftueshme për të bërë reformimin e transportit publik, por sipas tij mungon vullneti për një qeverisje të mirë.

“Pritoret nuk kanë shifra marramendëse, komuna ka fonde, krejt çka mungon është vullneti për të qeverisur ndershëm për qytetarët dhe në mungesë të pritoreve ne sot po vendosim cunga. Ajo që u mbetet qytetarëve, është të ulen në cunga deri sa të vijnë autobusët”, tha ai, shkruan eo.