Sport

Vettel e pranon humbjen: Ishte një vit i vështirë

“Ka qenë një vit i vështirë, por ndonjëherë fati vendos në këtë mënyrë. Më duhet të pranoj që këtë vit nuk patëm fat. Por mes meje dhe Lewis ka qenë një betejë korrekte, rregullat ishin njësoj për të gjithë, ndaj Hamilton e meritoi titullin kampion”, ka qenë komenti i Sebastian Vettel pas garës së Meksikës.

Garë e cila i dha titullin e kampion bote pilotit britanik të Mercedes, që barazohet pikërisht me Vettel, me nga 4 tituj kampionë bote në Formula 1. Vettel nuk i kurseu duartrokitjet dhe përgëzimet pas garës për kolegun e tij, por, nga ana tjetër, piloti gjerman i Ferrarit nuk ka fshehur zhgënjimin e tij për një shans të humbur, pasi e kontrolloi Botërorin deri në gusht të këtij viti.

Vettel shton: “Ka disa gjëra pozitive që duhen marrë nga ky sezon edhe pse për momentin nuk arsyetoj dot ashtu si duhet, pasi jam i zhgënjyer. E di që skuadra po bën maksimumin. Ndoshta edhe unë duhej të kisha dhënë më shumë në pistë, por fakt është që nuk arritëm dot objektivin. Krahasuar me vjet jemi më lart, por kjo nuk mjafton”, u shpreh më tej piloti gjerman i “kokëkuqes”. Piloti gjerman eviton komentet rreth garës dhe startit të keq, që solli edhe kontaktin me Hamilton. “Sot është dita e Lewis, ka qenë më i miri dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta urojmë. Është zhgënjyese të mësosh se pret vijën e finish dhe nuk arrin të festosh”, tha Vettel.