Tech

Vetura më e shitur e Suedisë nuk është Volvo

Vetura më e shitur e Sudisë në vitin 2016 nuk është Volvo. Kjo gjë është hera e parë që po ndodh pas më shumë se gjysmë shekulli.

Vendin për shitje më të madhe në Suedi e ka zënë Volkswagen Golf, dhe sipas shoqatës së prodhuesve të veturave të vendit [Suedisë], Volvo ende zë pjesën më të madhe të tregut të veturave në Suedi në përgjithësi, transmeton Koha.net.

Blerja e veturave të reja Golf në Suedi ka shënuar një rezultat prej 5.9 për qind, ndërsa modelet e Volvos V70, S90 dhe V90, të gjitha së bashku kanë shënuar blerje prej 5.7 për qind.

Volvo herën e fundit ka rënë nga vendi i parë në vitin 1962, ku në vend të parë ishte Volkswagen Beetle.

Pavarësisht se kompania Volvo është pronë e një firme kineze, Zhejiang Geely Holding Group, ajo ende shihet si një brend kryesor suedez. Dhe ende shet shumicën e veturave në Suedi, me më shumë se një në pesë vetura (21.5 për qind) në rrugët e vendit krahasuar me Volkswagenin i cili shet 15.7 për qind.

Megjithatë, Volvo V70, vetura më e popullarizuar në Suedi për dy dekadat e fundit, ka ndërprerë prodhimin në favor të modelit më të ri V90.

Suedia është tregu i dytë më i madh i Volvos pas Kinës.

Shoqata e prodhuesve të veturave në Suedi ka thënë se viti 2016 ka shënuar rekord të shitjes së veturave me 372 mijë regjistrime të reja, me një ngritje prej 8 për qind nga viti 2015, ndërsa shitja e kamionëve është rritur për më shumë se 15 për qind.