Aktuale

Vitin e kaluar të hyrat ishin 1 miliardë e 779 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin financiar për vitin 2016, të cilin e ka proceduar për diskutim në Kuvendin e Kosovës. Raporti paraqet të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2016.

Po ashtu, kabineti qeveritar në mbledhjen e saj ka miratuar edhe strategjinë për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Kosovë, 2016-2021.Ministri i Financave Avdullah Hoti duke prezantuar raportin vjetor financiar për vitin 2016, tha se janë arritur 96 përqind e të hyrave në bazë të planifikimeve, derisa rrija ekonomike ishte 4 përqind, krahasuar me vitin paraprak.

Sipas raportit, të hyrat tatimore janë rritur për 12 përqind, apo rreth 160 milionë euro më shumë se sa vitin paraprak.

Ministri Hoti theksoi se kjo rritje e të ardhurave ka ardhur si pasojë e pakos fiskale të shtatorit 2015 dhe në veçanti aktiviteteve që ka marr Dogana dhe administrata tatimore për luftimin e ekonomisë jo formale. Shpenzime në total kanë qenë 1 miliardë e 750 milionë euro, që sipas Hotit është 99 përqind e shpenzimeve të planifikuara. Ai tha se krahasuar me vitin paraprak ka një rritje prej 9.5 përqind në shpenzime.

Megjithatë, zbatimi i MSA-së pati efekt negativ, pasi mbi 20 milionë euro Kosova humbi nga fillimi i zbatimit të MSA-së, në prill 2016.

Në këtë mbledhje kabineti qeveritar miratoi edhe Strategjinë për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Kosovë, 2016-2021. Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Bajram Gecaj theksoi se kjo strategji ka për qëllim avancimin e pozitës së komuniteteve në Kosovë në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Po ashtu, kabineti qeveritar zgjodhi për sekretar të Këshillit të Sigurisë së Kosovës Shpend Tërdevaj.
Po ashtu, në këtë mbledhje janë miratuar edhe nisma për negocimin e marrëveshjes për bashkëpunim financiar mes Kosovës dhe Gjermanisë, ndarja e mjeteve për Odën Ekonomike për organizimin e panairit tradicional “Prishtina 2017”, formimin e grupit për bashkëpunim me ekspertët e BB-së për hartimin e dokumentit për draft ligjin për inspekcione si dhe është bërë emërimi i bordit menaxhues të Lotarisë së Kosovës.

the authorE B