Aktuale

Vlorë: Moti i keq shkatërrohen mjaft lokale në bregdet

Moti i keq, shoqëruar me reshje intensive shiu e erëra të forta, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bregdetin e Vlorës.

Një numër lokalesh me struktura të lehta janë shkatërruar plotësisht, ndërkohë që mjaft të tjera janë dëmtuar. Pasojat e motit të keq, që ka vazhduar gjatë gjithë natës duke u gdhirë e shtunë, kanë qenë më të dukshme në bregdetin dhe plazhin e Zvërnecit. Një numër lokalesh të njohura në këtë zonë, janë rrafshuar. Veç kësaj, edhe rruga që lidh qytetin e Vlorës me këtë fshat, është bllokuar përkohësisht, për shkak të pemëve të rrëzuara.

Moti i keq ka shkaktuar edhe probleme në qytetin e Vlorës. Pas largimit të ujërave, një pjesë e rrugëve dhe e trotuareve janë mbululuar nga balta. Bashkia ka angazhuar strukturat e ndërmarrjeve në varësi të saj dhe subjektin e pastrimit të qytetit, për të normalizuar gjendjen.