Aktuale

VMRO-DPMNE bën thirrje për zgjedhje të reja

Partia maqedonase VMRO-DPMNE i ka bërë thirrje të shtunën Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe liderit të kësaj partie Zoran Zaev që të pranojë shpalljen e zgjedhjeve të lira, në mënyrë, siç thuhet, të paraqesin edhe votimin për “platformën e Tiranës”.

“Qytetarët nuk kanë votuar për platformën e Tiranës në zgjedhjet e dhjetorit. Kjo ose cilado qoftë platformë e bërë në ndonjë vend tjetër nuk mundet dhe nuk duhet të jetë kusht për formimin e qeverisë në Maqedoni”, ka bërë të ditur VMRO-DPMNE, transmeton MIA.

Ndryshe, kreu i LSDM-së Zoran Zaev dje akuzoi kryetarin e shtetit Georgje Ivanov për standarde të dyfishta. Ai tha se kur Ivanov ia dorëzoi mandatin Nikolla Gruevskit, platforma shqiptare nuk ishte aspak e problematike që VMRO – DPMNE-së t’i kërkonte 61 firmat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re, ashtu siç veproi me LSDM-në.

“Duhet ta dini se Platforma e shqiptarëve u shpalos diku me datë 29 dhjetor, mandatin Ivanovi e dha më 9 janar. Ivanovi para se ta jep mandatin nuk tha asgjë për platformën. 20 ditë kishte negociata për atë platformë. Dua të rikujtoj, në ditën e fundit u mblodhën të gjithë partnerët e koalicionit të VMRO – DPMNE-së dhe kishte mbledhje të komitetit ekzekutiv dhe qendror për të marrë vendim, ata pranuan edhe platformën, edhe ligjin për përdorimin e gjuhës. Sikur ti thoshte Ahmeti të largojmë Specialen, Gruevski ishte gati ta vendos gjuhën maqedonase, gjuhë të dytë”, tha Zaev.

Ndërsa sa i përket debatin për gjuhën shqipe dhe pohimet se me zyrtarizmin e saj shkatërrohet karakteri unitar i shtetit, Zaev tha se kjo nuk qëndron pasi shqipja edhe tani përdoret si gjuhë zyrtare. Kreu i LSDM-së tha se karakteri unitar i shtetit rrënohet pikërisht nga politikat e VMRO-së.