Aktuale

VMRO nuk heq dorë nga ideja për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Partia VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit i ka bërë thirrje LSDM-së së Zoran Zaev që ta refuzojë platformën shqiptare dhe të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale.

Në një komunikatë për media të shtunën nga VMRO-DPMNE thuhet se njoftimi i liderit të LSDM-së Zoran Zaev për debat në lidhje me platformën e partive shqiptare tregon qëllimin e tij për ridefinim të shtetit.

“Përpjekja e Zoran Zaevit për të manipuluar publikun dhe për të nënvlerësuar inteligjencën e qytetarëve është e pasuksesshme. Ai i në stilin e tij, i hutuar u përpoq të njoftojë se nëse e merr mandatin do ta vazhdojë diskutimin për platformën e Tiranës. Ky fakt tregon qëllimin e Zoran Zaevit, e cila më parë është përgatitur nga ekspertë të LSDM-së nëpërmjet diskutimeve dhe konsultimeve të shumta me ekspertët e partive dhe me ndihmën e të huajve, për të ridefinuar shtetin”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dje ka prezantuar programin qeveritar, me ç’rast tha se Maqedonia do të jetë shtet për të gjithë dhe që synon integrimet euro-atlantike, ndërsa veprimet e presidentit George Ivanov dhe kreut të VMRO-DPMNE i quajti si lojë të rrezikshme.

Ai ka bërë të ditur se programi i Qeverisë së re, përmban parimet e programit parazgjedhor të LSDM-së, ku synohet zhvillimi ekonomik, kthimi i demokracisë dhe sundimi i së drejtës, transmeton KosovaPress.

Duke folur rreth Ligjit për gjuhët, kreu i LSDM-së tha se do të mbështesin politikë gjuhësore për të gjithë qytetarët.

“Do të mbështesim ndryshime ligjore në pajtim me amendamentin 5 të Kushtetutës, që t’i mundësojmë bashkësisë etnike shqiptare që të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare me të gjitha institucionet shtetërore. Do të ketë ndëshkime për të gjitha institucionet që nuk do të respektojnë këto vendime”, ka thënë Zaev.