Aktuale

Vrasja e Aulon Zekës, ministri Tahiri premton se drejtësia do të vihet në vend

Edhe sot nxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës kanë bllokuar rrugët e kryeqytetit, në shenjë proteste për zbardhjen e vrasjes së të riut Aulon Zeka.

Me këtë rast ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, iu ka premtuar protestuesve se drejtësia do të vihet në vend dhe se autorët e këtij rasti makabër do të marrin dënimin e merituar.

Ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me organet kompetente që nga momenti kur ka ndodhur ngjarja tragjike dhe se në një të ardhme të shpejtë drejtësia për Aulonin do të vihet në vend.

“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm edhe me policinë, edhe me prokurorinë prej momentit kur ka ndodhur ngjarja tragjike dhe në një të ardhme të shpejtë do të kryhen të gjithë procedurat dhe ata që kanë bërë këtë krim do ta marrin dënimin e merituar. Pra, unë ju lus që ta zhbllokoni sot rrugën, policia është duke e kryer punën e vet, prokuroria është duke e kryer punën e vet, dhe ata që e kanë kryer këtë vepër do ta marrin dënimin e merituar. Pra, drejtësia për Aulonin do të shkojë në vend”, tha ministri Tahiri.

Fatlum Batatina, student i Fakultetit Teknik, paralajmëroi se në rast se fajtorët për vrasjen e Aulon Zekës nuk marrin dënimin e merituar, ata përsëri do të protestojnë.

“Ne sapo realizuam takimin tonë me ministrin e Drejtësisë, ishin në zyrën e tij, e bindëm që të dalë para turmës dhe të bisedojë me ne. Ai na premtoi se drejtësia do të vihet në vend dhe po presim që drejtësia të vihet në vend, por nëse drejtësia nuk vihet në vend, ne përsëri do t’i bllokojmë rrugët dhe do të protestojmë derisa ta gjejmë drejtësinë”, tha ai.

Njëri prej protestuesve, Shpëtim Sopjani, kërkoi që fajtorët të marrin dënim maksimal për vrasjen e Aulon Zekës.

“Jena pjesë e kësaj proteste se jemi dal për drejtësi të Aulonit me luftuar, sepse 5 vjet për një vrasje me paramendim nuk mundesh m’i dhanë, duhet më shumë, shumë më shumë, derisa të kalben aty”, tha Sopjani.

Ndryshe, edhe më herët nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit kanë mbajtur protesta duke kërkuar zbardhjen e vrasjes së Aulon Zekës. Ata kanë bllokuar udhëkryqin e rrugëve “Garibaldi” dhe “Luan Haradinaj”. Njësitë e policisë ishin në vendin e ngjarjes në mënyre që situata të mos dalë jashtë kontrollit.

Aulon Zeka, 16-vjeçar, u gjet i vrarë të shtunën dhe deri tani policia ka arrestuar dy të dyshuar, 16-vjeçarin G.H. dhe 15- vjeçaren R.G, të cilëve iu është caktuar paraburgim nga 30 ditë. /KP/