Aktuale

Vuçiq: “Mini Shengeni”, më i rëndësishëm se tërheqjet e njohjeve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur për rëndësinë e marrëveshjes së “Mini Shengenit”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se iniciativa për heqjen e barrierave për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit dhe njerëzve mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është më e rëndësishme se tërheqja e njohjeve të Kosovës, raportojnë mediat serbe.

I pyetur nëse ka marrë mbështetje nga presidenti francez, Emmanuel Macron për “Mini Shengenin”, Vuçiq ka thënë se këtë iniciativë nuk do ta emëronte si të tillë, por si nevojë e përditshme.

“Askush nuk mund të thotë se kjo iniciativë mund t’i pengojë dikuj, sepse nuk ka arsye racionale për këtë. Iniciativën e kanë mbështetur SHBA-të dhe Macron do ta bëjë publikisht. Por, ndonjë shteti dikush do t’i thotë se janë kundër saj, për shkak të diçkaje, sepse e kanë kuptuar se kemi marrë fatin në duart tona dhe të vetëm po i zgjidhim problemet tona”, deklaroi Vuçiq.

“E shoh se as anëtarëve të familjes time nuk mund t’ua shpjegoj rëndësinë që ka kjo iniciativë. Biri im i madh mendon se është më e rëndësishme se tërheqjet e njohjeve të Kosovës, e kjo as nuk i afrohet”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.

Vuçiq ndër të tjera falënderoi Ganën për tërheqjen e njohjes së Kosovës duke theksuar se bëhet fjalë për një shtet i cili është partner i madh i Serbisë. Ai po ashtu ka thënë se iniciativa pritet të kontribuojë me largimin më të vogël të qytetarëve nga Serbia dhe kthimit më të madh.

“Ata që kritikojnë duhet ta dinë se Serbia fiton shumë. Ne në rajon me të gjitha shtetet me të cilat kufizohemi, në përjashtim të një prej tyre që është Hungaria, kemi suficit në shkëmbim tregtar. Edhe një person i verbër mund ta sheh se kjo iniciativë i përshtatet më së tepërmi Serbisë, sepse ajo është më e fuqishmja që mund të shesë më shumë mallra dhe produkte që na bëjnë më të fortit në resurset njerëzore”, u shpreh Vuçiq.