Aktuale

Vushtrria vatër e koronavirusit me 72 raste aktive – autoritetet nuk e aplikojnë karantinimin

Numri i rasteve aktive me koronavirus ka shkuar në 72 në Vushtrri, duke e bërë vendin vatër të sëmundjes. E në ditën e sotme pritet që të testohen edhe 46 mostra të tjera të dyshimta për infektim me Covid-19. Të gjitha këto raste sipas zyrtarëve vushtrrias janë raste kontakti.

Por ende nuk dihet nëse Vushtrria do të futet në zonën e karantinimit. Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka deklaruar për Express se nuk shohin arsye që Vushtrria të futet në karantinë, ani se sipas tij për këtë çështje vendos niveli qendror.

“Për karantinën vendos niveli qendror dhe jo ai lokal pra Ministria e Shëndetësisë. Ne si shtab lokal emergjent nuk shohim arsye për karantine pasi tashmë jemi në fazat lehtësuese”, ka deklaruar Meholi.

E gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), në Vushtrri janë paraqitur edhe 14 raste të reja me Covid-19.

Sipas komunikatës së lëshuar nga IKSHPK-ja, pesë nga rastet vijnë nga Vushtrria, katër nga Nadakovci, katër në Stanovc të poshtëm dhe një rast në Reznik. Të tri fshatrat e përmendura janë pjesë e Komunës së Vushtrrisë.

Ndërkaq, të hënën qyteti i Vushtrrisë raportonte 14 të diagnostikuar me virusin që shkakton sëmundjen Covid-19, nga 27 sa u shfaqën gjithsej në nivel qendror, sipas Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas të njëjtit burim, përgjatë së mërkurës, 19 persona janë infektuar me virusin pandemik, ndërkaq 24 të tjerë janë shëruar nga Covid-19.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar 1.142 persona të infektuar me koronavirus.

Prej tyre, 871 persona janë shëruar, derisa 30 të tjerë kanë vdekur.

the authorGazetaKNN