Aktuale

VV nuk ishte në seancë, AAK dhe Nisma erdhën për të votuar vetëm një projektligj

Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në seancën e sotme, ku do të votoheshin disa Projektligje, të cilat në mungesë kuorumi nuk u votuan në seancën e djeshme.

Ishte Daut Haradinaj i vetmi deputet i opozitës, i cili në fillim të seancës erdhi, por  pasi u nënshkrua doli nga seanca.

E Kuvendi në fillim të seancës  pati vështirësi për t’i votuar projekligjet, pasi që deputetët e pranishëm nuk votonin.

Xhavit Haliti, i cili kryesonte seancën tha se ata që nuk votojnë nuk do të marrin meditje.

 

“Kjo është me lujt bre. Jeni tu lujt këta që jeni në sallë nuk po votoni. Në qoftëse jeni kundër thoni se jeni kundër. Votoni kundër. Leje bre mos luani..Nëse nuk votoni unë e mbylli seancën dhe shkojmë në shtëpi, skemi çka bëjmë na. Me lujt cirkuz se kam njet…sipas informimit që ma bënë, në seancën e fundit është deklaruar që ata që nuk votojnë nuk marrin meditje. Besoj që është e drejtë“, tha ai.

Ndërsa deputetja Besa Gaxherri, propozoi që votimet të bëhen me dorë, pasi që disa deputetë ende nuk janë kfjellur.

 

“Ndodh që teknika s’po punon ose ndodh që dikush nuk është kfill hala,  të kisha lut të shkojmë me dorë me votu secili le ta shohin dhe opinioni se kush është e kush s’është e kush po voton. Provone me dorë është më mirë ”, tha ajo.

Ndërkaq deputetët e AAK-së dhe Nismës, erdhën në seancë, në kohën kur pritej të votohej Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Dhe pas miratimit të kësaj pike, ata kanë lëshuar seancën, në kohen kur pritej të bëhet zgjedhja e dy antarëve të Bordit të RTK-së.

Ishte Ismet Beqiri, ai që falenderoi deputetët e dy partive opozitare AAK dhe Nisma, të cilët erdhen për të votuar një pikë të rendit të ditës.

Ndërsa kritikoi deputetët e VV-së, të cilët munguan për ta votuar  Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015, nga e cila do të përfitojë dhe Prishtina miliona euro, të cilat janë paraparë që të investohen në Termokos. Ai tha se deputetët e VV-së, po duan që t’i humbin Prishtinës miliona euro.

 

“Meqenëse deputetët e AAK dhe nismës do të vijnë, unë do të doja me thanë para opinionit që kjo pikë dhe kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe dje kemi bisedu për këtë. Unë në emër të grupit po du me i falenderu përzemërsisht që po vijnë në seancë. Ndërkaq po du me e thanë një gjë, që deputetët që sot nuk janë në sallë dhe që janë deputetët e lëvizjes VV, le ta dijnë qytetarët që është mes tjerash në këtë pako të ndihmes që e marrim nga BE, janë edhe 33 milion euro për energji dhe prej tyre janë 21 milion euro që kanë të bëjnë me Termokosin në Prishtinë dhe Gjakovë. Kur flasim për Prishtinën, le ta dijnë qytetarët e Prishtinës se këta zotnit që e udhëheqin Prishtinën, më së paku mendojnë për Prishtinën. Sot ia humbin 20 e sa milion euro. Ose rrezikojnë me i humb…Deputetetët E VV-së le të dalin dhe të sqarojnë se pse ata sot pë r motive thjeshtë politike çdo gjë dëshirojnë me politizu dhe ia humbin ose rrezikojnë me ia humb vendit, në këtë rast dhe Prishtinës meqenëse thirren shumë për Prishtinën, ia humbin këta milion euro”, tha ai.

Por Melihate Tërmkolli  ka reaguar lidhur me falenderimin që Beqiri i bëri opozitës për prezencën në seancë, për ta votuar marrëveshjen financiare Ipa 2015.  Tërmkolli tha se pushteti dhe opozita kanë obligime për qytetarët e Kosovës dhe se nuk duhet të falenderohen që vijnë në seancë dhe votojnë.

 

“Nuk e di pse duhet me i pa gjanat krejt kështu. Pushteti dhe opozita kanë obligime për qytetarët e Kosovës. Pse duhet me duartrokit dhe pse duhet me falenderu opozitën që po bënë një veprim për qytetarët e Kosovës, sinqerish këto janë sjellje shumë jo serioze të pozitës. Sjellje shumë jo serioze. Ju lutem bënu një grimë serioz. Një grim seriozitet dhe përgjegjësi”, tha Tërmkolli.

E pas kësaj reagoi deputeti Daut Haradinaj, i cili tha se s’kanë nevojë për falenderime , pasi që ata e kanë obligim të vijnë në seancë dhe të votojnë.

 

“për besë tash po i bjen kjo që ne nuk e pranojmë falenderimin e Ismetit. Ske nevojë me na falenderu Ismet hiq më, se e kemi për obligim, duhet me ngu kolegen.  Shpreoj që pushteti të ketë konsderata dhe në seanca tjera, jo vetëm kur i konvenon. Ne jemi këtu për një arsye shumë të thjeshtë. është shumë e vërtetë si deputet e kemi për obligim me dhanë voten për, kur ka interesa të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Megjithatë kryesues më shumë e kërkova fjalën me të kritiku ty, por meqenëse apet e kalova atëherë, s’po të kritikoj. Jepi vetës kritikë. Sidoqoftë dhe ti je deputet si unë. Bile me vota jam më i madh se ti ”, tha ai.

Ndërkaq Pal Lekaj tha se AAK do të jetë mbështetëse  e fuqishme e të gjitha proceseve pozitive për qytetarëve të vendit, por çdo herë do ta kundërshtojnë të keqen e këtij vendi.

 

“Si çdo herë që e kemi dëshmuar atëherë kur është një e mirë për vendin, për zhvillim të Kosovës, ne do të jemi përkrahës të proceseve. Këtë jo vetëm sot që e kemi bërë, por e kemi bërë dhe në të kaluarën”, tha ai.

 

Edhe Valdete Bajrami tha se Nisma gjithmonë ka përkrahur marrëveshjen që janë në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Ndërsa tha se opozita duhet ta kenë parasysh, që jo gjithmonë kryejnë punë numrat.

 

“Nisma çdo herë ka qenë pjesë e vendimarrjes dhe çdo herë i ka përkrahur të gjitha projektet dhe  rrugën drejtë BE-së,  të cilën po synojmë ta kemi. Mirëpo duhet ta kenë parasysh edhe pozita në këtë rast që jo çdo herë po kryjkan punë numrat e tyre. Andaj ne jemi për këtë marrëveshje dhe do të jemi çdo herë për marrëveshje të cilat janë në të mirën e qytetarëve dhe vendit”, tha ajo.

E Xhavit Haliti pati dhe një vërejtje për deputetët të cilët shumicën e kohës merreshin me telefonat e tyre.                                                                                                                   

 

“Nëse vazhdoni me telefona tana heret, kështu na e kemi një aparaturë që ua ndalim dhe smund të flisni hiq.ia nali dhe vetit, kuptohet ajo punë“, tha ai.

Ndryshe, me 81 vota pro, Kuvendi miratoi Ligjin për Marrëveshjen Financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për të cilën kërkohen 80 vota.

Kuvendi në seancën e sotme miratoi dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor. Po ashtu u miratua në parim Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë,  Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa, Projektligji për akreditim. Kuvendi miratoi dhe Raportin vjetor i Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015, Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015,

U miratuan dhe Rekomandimet të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, Propozim-vendimi i  Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit,  Transmisionit dhe Tregut-KOSTT. U miratua dhe Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore. Ndërsa  nuk u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale. Ndërsa Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, nuk u votua, pasi që duhet të jenë të pranishëm deputetët e komuniteteve, të cilët nuk ishin prezent në seancë. /KP