Sport

Werderi e vendos çmimin e Milot Rashicës

Ylli kosovar i Werder Bremenit pëlqehet nga klubet gjermane, italiane dhe ato angleze. Vlera e kartonit të 24 vjeçarit ka rënë dukshëm kohëve të fundit

Werder Bremeni ia ka vendosur çmimin kartonit të Milot Rashicës. Mediat gjermane raportojnë se klubi gjerman i kërkon 15 milionë euro për yllin kosovar. Vlera e kartonit të vushtrriasit ka rënë pas formës së tij të zbehtë e mbi të gjitha pas rënies së Werderit nga Bundesliga.

Mediumi gjerman “Kicker” shkruan se Aston Villa ishte e gatshme t’i ofronte deri në 30 milionë euro për Rashicën në vitin 2019, përcjell Gazeta Express. Por, në atë kohë Bremeni i kërkonte 50 milionë për futbollistin kosovar. Sidoqoftë, tash Werderi do të ishte i kënaqur nëse e shet 24 vjeçarin për 15 milionë euro.

Rashica ka kontratë me klubin nga Bundesliga deri në vitin 2022, por largimi i tij këtë verë është i pashmangshëm. Në Gjermani, futbollistin ofanziv e pëlqejnë Leipzigu dhe Bayer Leverkuseni. Në Itali e duan Milani dhe Napoli.

Kurse, në Angli, krahas Aston Villës, e pëlqejnë edhe Leeds United dhe Southampton. Rashica i ka zhvilluar 26 ndeshje këtë sezon me Werderin duke i realizuar tre gola dhe duke i bërë pesë asistime. /Gazeta Express/