Aktuale

Xhafer Gashi rikandidon për të parin e Obiliqit

Punën e tij të cilën thotë se e ka bërë me shumë vullnet dhe përkushtim maksimal, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, synon ta bëjë edhe gjatë një mandati tjetër.

Ai ka thënë në një intervistë për KosovaPress se është propozuar nga niveli qendror, ndonëse ai nuk e ka pasur mendjen tek rikandidimi.

“Jemi në mesin e komunave të para për realizimin e premtimeve dhe projekteve cilësore. Tanimë jam i propozuar nga niveli qendror. Është angazhim, është sakrificë e madhe dhe sipas të gjitha gjasave do të jem sepse edhe një pengesë që e kam pasur, mund të them mungesa në familje, kanë arritur që edhe bashkëshorten dhe familjen e gjerë ta bindin që të jem pjesë e projektit dhe po, do të jem kandidat”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se gjatë punës së tij si kryetar i Komunës së Obiliqit kanë realizuar një mori premtimesh, duke përfshirë edhe ngritjen e numrit të bursave për studentë, përmirësimin e ndriçimit, shtimin e hapësirave gjelbëruese, si dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore, ku deri në fund të vitit arrijnë të realizojnë 70 rrugë.

Sipas tij, në Komunën e Obiliqit që nga paslufta e deri në vitin 2013-të, investimet kapitale kanë munguar shumë, porse gjendja ka ndryshuar prej kur ai ka marrë mandatin e të parit të Obiliqit. Përderisa thekson se ende ka punë për t’u bërë, ndërsa konsideron se sfida më e madhe për komunën të cilën aktualisht e drejton, mbetet problemi me KEK-un, përkatësisht implementimi i ligjit.

“Komunën tonë e presin shumë sfida… Do të jetë punë shumë e madhe implementimi i ligjit se tanimë ndahen përgjegjësitë edhe të nivelit qendror, lokal dhe të operatorëve dhe mendoj se në këtë drejtim duhet të ketë shumë angazhim dhe kujdes sa i përket implementimit të ligjit. Është kogjenerimi, do të thotë nxemja qendrore që do të jetë prioritet për neve në qeverisjen e ardhshme. Pastaj janë sfidat e zgjedhjes së problemit me KEK-un sa i përket çështjes së punësimit që të implementohet ligji, që në kushte të barabarta të përfitojnë qytetarët tonë. Ne e dimë se KEK-u është vjetërsuar sa i përket fuqisë punëtore, është mbi 54 vjetërsia e punëtorëve që janë në KEK. Në tri vitet e ardhshme parashihet diku që mbi 1800 vetë të pensionohen”, tha ai duke shtuar se në radhë janë edhe projekte të tjera në infrastrukturë dhe shëndetësi.

I pyetur rreth projektit të madh “Kosova e Re”, Gashi është shprehur se Komuna e Obiliqit është kosultuar shumë vonë për këtë, ndërsa thotë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë nëse arrijnë të kenë prioritet çështjen e punësimit.

“Realisht ka pasur ngecje në këtë drejtim dhe ne një takim muajin e kaluar për herë të parë me ekspertët të cilët kanë ardhur të bëjnë studimin e fizibilitetit të lumenjve dhe konfiguracionit ku do të vendoset, por kanë kërkuar të nënshkruhet një memorandum në këtë rast. Ne nuk kemi pranuar të nënshkruajmë memorandumin. Arsyet janë të shumta sepse një projekt i cili pothuajse para tri viteve ka filluar, pas tri viteve ka ardhur memorandumi në Komunë. Ne kemi kërkuar nga kompania konsulente që komuna paraprakisht duhet t’i ofrohet një kontratë me qytetarin që ata ta kenë parasysh implementimin e ligjit në tërësi, ligjin e Obiliqit që trajtohet si zonë e veçantë, që të kemi prioritet çështjen e punësimit, që të ketë trajtim të shpronësimit me qëllim që të mos jemi në situata çfarë jemi tani dhe ne presim me shpresë se ata do t’i marrin parasysh kërkesat tona dhe ne jemi të gatshëm për bashkëpunim ”, tha ai.

Sa i përket problemeve që janë paraqitur në zonën me interes të veçantë, Gashi vlerëson se procesi i shpronësimit në atë pjesë ka qenë i tej zgjatur, ndërsa shprehet se janë institucionet e nivelit qendror që duhet të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që Kosova të mos futet në kolaps energjetik.

“Ky është një problem, unë konsideroj shumë serioz sepse ajo është zonë e interesit nacional. Të gjitha që janë në atë zonë, një pjesë e madhe janë pothuajse me shekuj të vendosura në ato hapësira. Është problem sa i përket çështjes së zhvendosjes pse ajo konsiderohet si zhvendosje e dhunshme. Pastaj unë mendoj se ka qenë proces i ngadalësuar meqë është kompani publike, pronari është Qeveria dhe në këtë rast për implementimin e vlerësimit të asaj zone, të aseteve në atë zonë e ka pasur përgjegjësi KEK-u dhe kjo ka vazhduar me vite të tëra, nuk është mbyllur si proces… Përveç asaj është edhe çështja e punësimit. Në kompensim të kësaj që po iu bëhet zhvendosje, kemi mundësi punësimi për ata banorë. Është çështja e vlerësimit të pronës së tyre që ata konsiderojnë se është jashtë normales dhe nuk janë të kënaqur me vlerën që ofron KEK-u në këtë rast dhe këto janë probleme.”, u shpreh ai.

Sipas kryetarit aktual të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashit, ndotja në komunën që ai e drejton ka filluar të zvogëlohet, por kjo nuk ka rezultuar me zvogëlim të numrit të të prekurve nga kanceri. E për këtë ai thotë se është e tmerrshme që nuk kanë fonde të mjaftueshme për të ndihmuar rastet e prekura e për këtë shpeshherë i përcjellin në Ministri të Shëndetësisë.

Ai u shpreh se 20 përqind nga tantiema për eksploatimit të thëngjillit parashihen t’i kthehen Komunës, në mënyrë që të mund të krijohet një fond që do ta përkrahë shëndetësinë.

“Faktikisht ndotja ka filluar të zvogëlohet, ne e kuptojmë, është industri, mbi të gjitha këta kanë filluar të bëjnë përmirësime. Është planifikuar që në vitin 2018 të instalohen edhe elektrofiltrat në Kosovën B, sipas informatave që i kemi. Pastaj ligji e obligon që KEK-u ta ketë një muri mbrojtës nga zhurma, pastaj brezin e gjelbër për ndaljen e ndotjes së ambientit. Po ashtu në kushte të barabarta do të përfitojnë qytetarët sa i përket çështjes së punësimit. Sa i përket çështjes së kogjenerimit që ndikon shumë në uljen e ndotjes së ambientit sepse në komunën tonë pothuajse tri herë është më i ndotur ambienti gjatë sezonit dimëror për shkak të ngrohjes që pothuajse në territorin tonë është me thëngjill. Pastaj janë mundësitë që komuna ta ketë një laborator i cili do të merret me vlerësimin e ndotjes së ambientit, 24 orë do të jenë të informuar qytetarët për rezultatet”, tha ai.

Krejt në fund, Gashi është shprehur se gjatë mandatit të tij, shumë institucione të pavarura kanë dhënë vlerësime pozitive për punën e Komunës së Obiliqit duke e nxjerrë atë të dytën sa i përket realizimit të projekteve.

Ai është shprehur se falë përkushtimit në punë kanë arritur që buxhetin prej 5 milion e 91 mijë euro për investime kapitale ta rrisin në 6 milion e 900 mijë euro, përmes bashkëfinancimeve të ndryshme, nga ministri të ndryshme dhe nga organizata joqeveritare

the authorE B