Aktuale

Yagcilar: S’do të ketë rritje të pagave, por nivelizim të tyre

Reforma në Administratën Publike, ishte temë diskutimi në Komisionin për Administratë publike, ku ministri Mahir Yagcilar, raportoi rreth punës së bërë në këtë drejtim.

Yagcilar tha se po punohet mjaft shumë për reformat në Administratën Publike.

“ Mund të konstatohet se ekziston një vizion koherent i reformës së Administratës Publike në nivel shtetëror. Nga ana tjetër të gjitha dokumentet e lartshënuara përmbajnë sfidat objektivat dhe hapat kyç që nevojiten të përmirësohen”, tha ai.

Anëtarët e Komisionit patën kritika lidhur me reformat në Administratë, pagat e deputetëve por edhe për Ligjin për Paga.

Deputeti i Nismës Zafir Berisha tha se Administrata publike në Kosovë, po shfrytëzohet për të ruajtur ‘status quon’ në vend.

 

“Administrata Publike e shtetit tonë a është në përputhje me realitetin e shtetit të Kosovës, a është në përputhje me gjendjen ekonomike, a është në përputhje me banorët që ka republika e Kosovës. Pasi që unë sa jam në rrjedha nga 2011 ka pasur rekomandime nga BE qe me u fut në një reformë të thellë në administratë publike,  sepse shpesh herë  administrata po shfrytëzohet me ruajt status quon në Kosovë dhe se kjo nuk është e shëndetshme për shtetin e Kosovës. Cilat janë sfidat me të cilat po përballen këto reforma në administratën publike,  pengesë në këtë drejtim  ndërhyrja politike apo  gjendja financiare”, tha deputeti i Nismës.

Ndërsa deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj ka ngritur çështjen e pagave të deputetëve, për të cilën u hap një debat për to.

Ai për të gjithë këtë që ka ndodhur në media kur u raportua për rritje të pagave të deputetëve fajëson kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

 

“Pas pak doli super lajmi ose supermeni që tha se nuk do të lejojë me u rrit rrogat Kadri Veseli. Është mirë me sqaru për opinion kush e ka bërë këtë lajm. Apo i njëjti e ka lëshu këtë lajm dhe e ka porositur që me ba një pyetje të tillë që me thanë se nuk lejoj me u rrit rrogat e deputetëve”, tha Brahimaj.

Zenun Pajaziti nga PDK-ja tha se nuk është sfidë paga e deputetëve, por  sfidë mbetet harmonizimi i pagave të shërbyesve civil.

 

“Nuk është sfidë paga e deputetëve në përgjithësi e komunitetit të politikanëve. Është sfidë  harmonizimi i pagave i të gjithë atyre shërbyesve, që marrin pagë prej buxhetit të Kosovës. Kemi disproporcione sidomos në raport me Kuvendin  me agjenciont dhe institucionet e pavarura,  ku shpesh herë caktimi i pagave është në shpërputhje të plotë jo veç me njërin tjetrin  institucion, por dhe në ligjet në fuqi”, tha ai.

Duke folur për Ligjin për Paga,  Yagcilar sqaroi se qëllimi i këtij ligji është nivelizimi e jo rritja e tyre.

 

“ Edhe për deputetët dhe për ministrat dhe zëvendësministrat që janë me mandat politik,  duhet të planifikohen pagesat për ata që s’do të jenë deputet dhe ministra ose zëvendësministra  dhe për ata duhet të parashikohet një pagesë. Kjo s’ka lidhje me rritjen e pagave as të deputetëve as të ndonjë pozite tjetër. …Në atë ligj nuk do të ketë zvogëlim, nuk do të ketë rritje,  por nivelizim të pagave. Fillohet prej presidentit dhe tek çdo pozitë, mund të ketë rritje mund të ketë zvogëlim, qëllimi është të mos bëhet asnjë zvogëlim i pagave, sidomos në sektorët e rëndësishëm  si shëndetësia, arsimi, policia, siguria, administrata publike”, tha ministri Yagcilar.

Ligji për Pagat është tërhequr nga Qeveria me kërkesë të Komisionit Evropian, pasi që ky i fundit ka kërkuar që ky ligj së bashku edhe me Ligjin për Shërbimin  Civil dhe Organizimin e Administratës Shtetërore të shkojnë në një pako në Kuvend.  Qeveria ka tërhequr ligjin dhe që të tri këto ligje do të procedohen në pako./KP