Aktuale

Ymeri: Pushteti i frikësohet votës së mërgatës (Video/Foto)

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri i ka bërë sot thirrje të gjithë mërgimtarëve që të votojnë masivisht në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.

Ai gjatë një konference për media ka theksuar se mërgata ka dëshmuar rolin që ka në politikën e vendit dhe ndryshimin që mund të bëj me votë, raporton Indeksonline.

“Pjesëmarrja e ulët e mërgimtarëve në zgjedhje është pasoja e politikës, e mungesës ë informacioneve dhe afateve të shkurta për regjistrim për të përfshirë mërgatën në politikë. Të gjitha arsyet ekzistojnë që të kemi pjesëmarrje më të madhe të mërgatës në zgjedhjet lokale”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, bazuar në përvojën me zgjedhjet e 11 qershorit, u vërejt që mërgata vendosi dukshëm për rezultatin e zgjedhjeve me mbështetjën që i dhanë partisë që ai drejton.

“Me besimin më të lartë dhe përvojën që ata mund të ndryshojnë jetën tonë politike shfrytëzoj rastin ta ftoj mërgatën të marrin pjesë na zgjedhjet lokale duke shfrytëzuar të gjitha mundësit për të votuar qoftë duke ardhur këtu qoftë përmes postës. Vota e mërgatës është votë që pushteti nuk e do sepse është e lirë dhe nuk mund të kushtëzohet as të blihet. Pushteti i frikësohet votës së mërgatës sepse gjykimin e kanë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga ky pushtet”, ka thënë tutje Ymeri.

Adnan Rrustemi, përfaqësues i VV-së në KQZ tha se pjesëmarrja e mërgatës në zgjedhje është e rëndësishme dhe kjo u dëshmua në zgjedhjet lokale.
“I rëndësisë së njëjtë është edhe pjesëmarrja e mërgatës në zgjedhjet lokale dhe është mundësi e mirë sepse ka afat më gjatë për t’u regjistruar. Ata kanë dy mundësi ose të vijnë të votojnë personalisht ose përmes postës”, ka potencuar Rrustemi. /Indeksonline/

the authorE B