Arsim & Kulturë

Youtube dhe rrjete sociale – ja çfarë konsumojnë fëmijët kosovarë në internet

Për herë të parë në Kosovë është realizuar një hulumtim shkencor për kohën e qëndrimit online të fëmijëve, përvojat dhe rreziqet e tyre nga të qenit i pranishëm në internet. Projekti është realizuar nga Kolegji AAB në kuadër të granteve shkencore të ndara nga MASH për projekte shkencore.

Që nga viti 2009 studime të tilla për fëmijët në vendet e BE-së, realizohen vazhdimisht, ndërsa në vendin tonë ky projekt është realizuar për herë të parë, përderisa vendet e rajonit si Serbia është e përfshirë në këto të dhëna, ndërsa Shqipëria mbetet në proces.

Në prezantimin e rezultateve të hulumtimit të realizuar gjatë vitit 2019, porektori për hulumtim shkencor në Kolegjin AAB, Hasan Saliu theksoi se për shkak të rrethanave me pandeminë nuk kemi mundur ta prezantojmë më herët. “Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë që të matet koha e qëndrimit online të fëmijëve, për çka e përdorin ata dhe cilët janë rreziqet që mund t’iu kanosen atyre. Objektivi tjetër është se çfarë i dallon fëmijët në Kosovë dhe atyre në Evropë”, theksoi Saliu.
Ai bëri të ditur se konsultent profesional në këtë projekt ka qenë Universiteti i Peruxhas nga Italia, ndërsa të dhënat preliminare janë prezantuar në konferencën më të madhe të komunikimit dhe mediave, në Universitetin Complutence të Madridit.

Bazuar në gjetjet e hulumtimit, të cilat kanë dalur nga pyetësori i standardizuar sipas studiueses Sonia Livingstone në të gjitha vendet evropiane dhe më gjërë, e ku grupmosha e përfshirë në këtë hulumtim i përket fëmijëve të moshës 11-16 vjeç, del se në Kosovë 93% e fëmijëve të kësaj grupmoshe kanë deklaruar se posedojnë smpartphone. Kjo edhe nxjerr të dhënat e qasjes së tyre, në internet ku burimi kryesor i qasjes është telefoni mobil (88%), i pasuar nga laptopi personal (82%).

Gjetjet e hulumtimit tregojnë se fëmijët kosovarë gjatë fundjavës dhe pushimeve verore, dyfishojnë kohën e qëndrimit në internet krahasuar me kohën gjatë ditëve të mësimit. Rreth 40% e tyre theksojnë se harxhojnë deri 3-4 orë në ditë online gjatë fundjavës, përderisa gjatë ditëve të mësimit ata janë online 1-2 orë, theksoi Zija Rexhepi, profesor në Kolegjin AAB.

Të dhënat tregojnë se mbi 60% e fëmijëve të grupmoshës 11-16 vjeç në Kosovë, në baza ditore shikojnë videoklipe dhe ndëgjojnë muzikë në youtube, ndërsa mbi 72,5% e tyre çdo ditë janë prezentë në rrjete sociale. Në këtë pikë, janë fëmijët e gjinisë mashkullore që dominojnë me prezencë në rrjete sociale (80%) kundrejt vajzave (77.5%). Rrjeti social më i popullarizuar i kësaj grupmoshe mbetet Instagrami (43%) dhe Facebook (23%).

Duke folur për eksperiencat e fëmijëve, bazuar në gjetjet e hulumtimit, profesoresha Saranda Shatri, tregoi se 27.2% janë shprehur se e kanë më lehtë të bisedojnë disa gjëra online të cilat përndryshe nuk do t’i bisedonin me dikë ballë për ballë.
Interneti përdoret gjithashtu edhe për njohje të reja dhe më pas takime ballë për ballë. 19.2 % kenë takuar atë person ballë për ballë pasi e kanë njoftuar në internet. Janë pikërisht rrjetet sociale prej nga rrjedhin këto njohje, rreth 28 % janë shprehur se këta persona i kanë njohur në Facebook, 55.4 % në Instagram. Në këto takime ka pasur edhe lëndime fizike (1.8 %) apo edhe ngacmime me natyre seksuale (2.1%).

Shqetësuese janë edhe rezultatet e dala për konsumimin e përmbajtjeve seksuale online nga fëmijët e moshës 11-16 vjeç. 18.5 % kanë deklaruar se kanë parë imazhe, fotografi, vizatime apo video të ndryshme me pamje seksuale. Prej tyre, 7.8 % kanë thënë se këto imazhe i shohin çdo ditë apo gati çdo ditë! Djemtë janë konsumatorë më të mëdhenj të këtyre përmbajtjeve dhe më pak të shqetësuar se vajzat (40,5% e tyre deklarohen se nuk shqetësohen fare për përmbajtjen).

Profesoresha Mimoza Kamberi, tregoi se në bazë të gjetjeve të hulumtimit, del se 30% e respondentëve kanë diskutuar me prindërit për këto çështje, përderisa 70% e tyre nuk i kanë diskutuar fare.

Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera, konsumimi i këtyre përmbatjeve eksplicite në Kosovë mbetet më i ulët se në vendet tjera (p.sh. Francë, 21%, Serbi,50%, etj.).

Duke u bazuar në këto të dhëna autorët e hulumtimit rekomandojnë që në arsimimin parauniversitar medoemos duhet të futet lënda “Edukim Mediatik” me një kurrikulë të qëndrueshme dhe të përditësuar. Po ashtu një rol të rëndësishëm e ka sensibilizimi i ndërmjetësimit prindëror në këtë aspekt.