Aktuale

“Zbrazen” burgjet, numri i të burgosurve që përfitojnë nga amnistia

Ministria e Drejtësisë është në prag të finalizimit të një drafti fillestar të Ligjit për Dhënie Amnistie, me rastin e festave të fundvitit, zbatimi i të cilit pritet të lirojë qindra persona të dënuar me burg.

Shifër zyrtare nuk ka ende, pasi dokumenti pritet të zyrtarizohet këtë javë, por sipas burimeve jozyrtare, rreth 900 të burgosur pritet të jenë përfitues. Nga ana tjetër, përfitues pjesërisht pritet të jenë edhe rreth 3 mijë persona të dënuar që përfitojnë ulje të një pjese të dënimit të dhënë apo pushim të çështjes penale ndaj tyre për rastet e krimeve të lehta. Burime pranë kësaj Ministrie konfirmuan për “Panorama” se ditët e fundit, në kuadër të këshillimeve për draftin e ligjit, i është kërkuar mendim Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe Avokatit të Popullit. Bazuar në vlerësimet që këto institucione do t’i përcjellim Ministrisë së Drejtësisë, kjo e fundit do të dalë së shpejti me një draft konkret, i cili do të përmbajë kriteret e kategorive të të dënuarve apo të proceduarve që do të përfitojnë. Sipas burimeve, për shkak të mungesës së një drafti konkret, ende nuk mund të flitet për një shifër të përafërt të përfituesve.

Nga ana tjetër, burime jozyrtare bënë me dije se një nga kriteret e amnistisë mund të jetë falja e një viti burg për të gjithë të dënuarit. Po ashtu, një tjetër kriter i mundshëm është edhe prekja nga efektet e amnistisë, për personat që janë nën hetim, pra në fazën e procedimit, për disa vepra të caktuara penale. Nisja e punës për përgatitjen e një amnistie u pohua nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë një seance dëgjimore të pak ditëve më parë në Komisionin e Integrimit.

AMNISTIA E MBIPOPULLIMI 

“Nuk besoj që amnistia është zgjidhja e problemit. Amnistia është zgjidhja e dy muajve, pra dy muajt e parë të vitit të ardhshëm ju mund t’i zgjidhni me amnisti dhe ne po e përgatisim, por nuk është kjo zgjidhja. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e ndjekjes penale, apo siç na pëlqen ta themi, duhet ta ‘europianizojmë’. Mua më pëlqen të them të jetë eficiente. Kjo është ajo që po përpiqemi të krijojmë, patjetër bashkë dhe me një amnisti”, tha Manjani. Burime pranë Ministrisë saktësuan se hartimi i draftit nisi në përfundim të një shqyrtimi të të dhënave mbi situatën e mbipopullimit dhe mbi veprat penale të favorshme për t’u amnistuar, si edhe veprat penale për të cilat amnistitë e kaluara nuk kanë dhënë efekt pozitiv.

Një nga veprat penale të amnistuara në vitin 2015, e cila ka rezultuar e pasuksesshme, ka qenë ajo e “vjedhjes së pasurisë”, pasi sipas të dhënave, një pjesë e mirë e të liruarve u kthyen sërish në qeli. Finalizimi i një projektligji “Për dhënie amnistie” pritet të sjellë uljen e mbipopullimit në burgje dhe po ashtu uljen e kostos financiare të mbajtjes së tyre. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, numri aktual i personave të cilëve u është privuar liria në institucionet e mbyllura është afërsisht 6027 persona, nga të cilët gati 900 janë mbi kapacitetet e institucioneve të vuajtjes së dënimit, raporton Panorama.