Aktuale

Zbulohen plantacione me duhan të ndaluara për prodhim

Në fshatin Mogillë të Maqedonisë janë gjetur 24.826 kilogramë duhan të llojit “Virxhinia”, si dhe gjashtë ara me plantacione nga ky lloj i duhanit, gjatë aksionit që e kreu dje dhe pardje SBP Manastir dhe Inspektorati shtetëror për bujqësi në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Siç kumtoi sot Ministria e Punëve të Brendshme, duhani është gjetur gjatë bastisjeve tek personat fizik dhe juridik në bazë të urdhrave nga Gjykata themelore Manastir.

Inspektorati shtetëror për bujqësi ka dhënë pesë urdhër-pagesa prej 1.000 eurove për pesë persona fizik dhe një prej 20.000 eurove për një person juridik, përkatësisht gjithsej gjashtë urdhër-pagesa në shumë prej 25.000 eurove. Njëkohësisht, nga ana e Inspektoratit shtetëror për bujqësi janë dhënë tre vendime për lërim të arave, ndërsa në procedurë janë dhënia edhe e tre vendimeve për lërim të arave të mbjella me duhan të llojit “Virxhinia”.

Në bashkëpunim me Inspektoratin shtetëror për bujqësi SPB – Manastir do të vazhdojë me ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve për zbulimin e rasteve të reja me mbjellje të duhanit të llojit “Virxhinia” në pajtim me Ligjin për duhan dhe nenin 276 nga KP i Republikës së Maqedonisë, informon MPB.