Aktuale

Zëdhënësi Abdullahu s’thotë asgjë kur flet për riformatimin e Qeverisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu nuk ka thënë asgjë kur është përgjigjur lidhur me riformatizimin e Ekzekutivit. Në një përgjigje prej katër fjalish, Abdullahu vetëm ka përsëritur se i kanë punët mire me PDK’në dhe gjithçka po ju shkon sipas pajtimeve të mëhershme. S’ka treguar se pse nuk u plotësuan pozitat vakante në Qeveri dhe as pse s’ka pasur asnjë ndryshim në Kabinetin e Isa Mustafës.

Isa Mustafa dhe Kadri Veseli s’e kanë bërë asnjë ndryshim në Kabinetin Qeveritar, e cila po i mbush dy vite të funksionimit.

Procesi i ndryshimeve i paralajmëruar nga Mustafa e Veseli ende s’ka përfunduar. Deri më tash, asnjë Ministër i dështuar s’është larguar nga Qeveria. Madje, as pozitat vakante në Qeveri ende nuk janë plotësuar.

Kështu, Ministria e Integrimeve dhe ajo e Ambientit ende nuk janë zyrtarizuar emrat e rinj. Blerta Deliu ka refuzuar të marrë udhëheqjen e integrimeve evropiane me arsyetimin se shpejt do të shkohet në zgjedhje.

Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu ka thënë se koalicioni qeverisës PDK-LDK  nuk jep afate kohore se kur do të ndodhë riformatimi i Ekzekutivit.

Ai ka thënë se ndryshimet në Qeveri nuk janë synim të bëhet brenda një periudhe të caktuar kohore.

“Riformatimi si synim nuk është përcaktuar se do të bëhet me patjetër brenda një periudhe të caktuar kohore, por është pajtim i partnerëve të koalicionit se do të bëhet kur të konsiderohet përfundimisht se kjo është në dobi të rritjes së efikasitetit të qeverisjes dhe aty ku kjo është e mundshme duke mos e dëmtuar efikasitetin të reduktohen shpenzimet”, ka thënë Abdullahu të dielën për Gazetën Express.

Idenë për ndryshime në Qeveri e ka nisur Kadri Veseli e Isa Mustafa, të cilët prej muajsh kanë paralajmëruar mundësinë e ndërrimit të disa ministrave.

Kohëve të fundit, në PDK, kanë folur edhe për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, pasi nuk janë të kënaqur me performacën e Qeverisë së udhëhequr prej liderit të LDK’së.

Pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore kishin akuzuar njëri-tjetrin, pas dështimit të koalicionit të Opozitës, LDK kishte lidhur koalicion me Partinë e Hashim Thaçit, duke marrë pozitën e Kryeministrit ndërsa Presidentin dhe Kryeparlamentarin i ishin dhënë PDK’së.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës, ka 19 Ministri, ndërsa, dy i ka pa portofol. Është më e madhja në numër krahasuar me vendet e rajonit. Në Shqipëri janë 19 Ministri, Serbi 18, Mal të Zi 16 dhe Maqedoni 14.

Veseli e Mustafa kishin premtuar se do të ketë edhe zvogëlim të numrit të Ministrive, por as në këtë drejtim, s’ka pasur asnjë lëvizje.