Aktuale

Zëdhënësi i KQZ-së: Numërimi i votave pritet të përfundojë gjatë kësaj jave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që gjatë kësaj jave të përfundojë numërimin e të gjitha votave.

Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë konferencës për medie.

“Ju njoftoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi kemi pranuar materialin zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, po bëhet futja e të dhënave në sistem nga formularët e rezultateve të kandidatëve për Kryetar Komune”.

“Pas përfundimit të procedurave në QNR, do të kemi një listë të saktë të numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke bërë verifikimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor. Gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Gjatë procesit të verifikimit do të kemi një pasqyrë të qartë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve dhe nëse janë dërguar nga votuesit që i takon listës votuese jashtë Kosovës”.

“Pasi të përfundojnë të gjitha këto aktivitete, atëherë do të fillojmë me numërimin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura me postë. Kjo do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim dhe planifikojmë ta përmbyllim gjatë kësaj jave”.