Sport

Zidane s’është lojtari i vetëm që Messi ia kishte kërkuar fanellën, zbulohet lojtari tjetër

Për një kohë të gjatë është menduar që Zinedine Zidane është lojtari i vetëm që ia kishte dhënë Lionel Messit fanellën e tij me kërkesë të argjentinasi, mirëpo tani Antonio Rudiger i Chelseat ka thënë se kapiteni i Barcelonës ia ka kërkuar edhe atij fanellën.

Lionel Messi zakonisht nuk është ai që kërkon të shkëmbejë fanella me lojtarë të tjerë, përveç nëse luan kundër një bashkëkombësi të tij. Megjithatë, ai e kishte bërë një përjashtim kur kishte luajtur kundër Zinedine Zidane në fillimet e karrierës së tij, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, tani duket se gjashtë-herë fituesi i Topit të Artë e kishte bërë këtë përjashtim edhe një herë tjetër në karrierën e tij, disa vjet më vonë, kur ishte takuar me mbrojtësin e Chelseat, Antonio Rudiger.

Ata të dy ishin kundërshtarë në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve dhe, përmes ndihmës së Cesc Fabregas, Messi dhe Rudiger i kishin shkëmbyer fanellat.

“Unë e kam fanellën e Messit prej kur kishin luajtur kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve para dy-tre vjetëve”, ka thënë Rudiger, duke iu përgjigjur një tifozi.

“Unë mendoja se ai s’ka gjasa ta dojë fanellën timë, por pastaj Cesc ishte afër dhe më tha: “Jepja fanellën tënde, edhe ai e dëshiron fanellën tënde”.

the authorGazetaKNN