Rajon & Botë

Zjarre edhe në territorin e SHBA-ve dhe Kanadasë

Më shumë se 800 mijë banorë të pjesës perëndimore të SHBA-ve janë paralajmëruar të bëhen gati për evakuim, pasi që erërat dhe koha e thatë rrezikojnë të përhapin zjarret, ka njoftuar sot shërbimi meteorologjik amerikan.

Siç thuhet, është caktuar flamuri i kuq për shtetin Oregonin jugor, Kaliforninë veriore dhe Nevadën veriore, transmeton Reuters.

Agjencia britanike e lajmeve raporton se në dy ditët e fundit në Kaliforni kanë shpërthyer gjithsej 35 zjarre, të cilat kanë kapluar dy herë më shumë sipërfaqe se sa vitin e kaluar, njoftoi Qendra koordinuese nacionale.

Ndërsa, në Kanada për shkak të zjarrit janë evakuuar rreth 40.000 njerëz. Autoritetet kanadeze kanë dërguar aeroplanë ushtarakë në provincën Kolumbi Britanike, ku zjarret kanë detyruar pothuajse 40 mijë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa Australia ka dërguar 50 zjarrfikës, në mënyrë që të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.