Sport

ZYRTARE: Jasir Asani largohet nga Partizani, transferohet në Suedi

Jasir Asani largohet zyrtarisht nga Partizani.

Sulmuesi i krahut do ta vazhdojë karrierën në Suedi te gjigandët e AIK Stockholm.

Partizani ka pranuar ofertën e klubit suedez, për huazimin 6-mujor me të drejtë blerjeje verën e ardhshme. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi i kuq. Asani do të jetë pjesë e Partizanit edhe në dy ndeshjet e radhës ndaj Teutës dhe Vllaznisë sepse nga 1 janari i 2020-ës do të bashkohet me klubin e AIK.

Njoftimi i klubit:

“Klubi njofton sot arritjen e marrëveshjes së transferimit të Jasir Asanit drejt ekipi suedez AIK. Mesfushori me tipare sulmuese do të kalojë në formulën e huazimit te klubi suedez nga Janari 2020. Klubi i AIK njëkohësisht do të ketë edhe të drejtën e blerjes së kartonit të Asanit në fund të sezonit. 24 vjeçari do të jetë në dispozicion të kampionëve të Shqipërisë edhe për dy ndeshjet e radhës ndaj Teutës dhe Vllaznisë, për të vijuar më pas aventurën e tij të re në kampionatin suedez.

Performanca mjaft pozitive e Asanit në radhët e të kuqve, me të cilët u shpall edhe kampion i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane për të përfituar shërbimet e tij, por insistimi i vazhdueshëm i AIK rezultoi edhe oferta më konkrete dhe më e mirë për Asanin dhe Klubin.

Klubi dëshiron të falënderoj Jasir Asanin për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe dhe i uron njëkohësisht shumë suksese në aventurën e tij të re”, shkruante Partizani.