Sport

Zyrtare: Neuer u jep fund spekulimeve për të ardhmen, rinovon kontratën me Bayernin

Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, e ka nënshkruar një kontratë të re me Bayern Munichun që e mban atë në Allianz Arena deri në vitin 2023, duke u dhënë kështu fund spekulimeve për të ardhmen.

Portieri 34-vjeçar i ka bërë gjithsej 375 paraqitje për klubin gjerman, të cilit iu bashkua në vitin 2011, kur u transferua nga Schalke, transmeton Gazeta Express.

Ai i ka ndihmuar bavarezët t’i fitojnë 18 trofe të mëdhenj gjatë periudhës së tij në Allianz Arena – përfshirë këtu shtatë tituj të Bundesligës, katër tituj të Kupës Gjermane dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2013.

“Manuel është portieri më i mirë në botë dhe është kapiteni ynë”, tha drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummennige, në lajmërimin për rinovimin e kontratës së Neuerit.

Portieri gjerman me këtë kontratë të re u jep fund spekulimeve të vazhdueshme për të ardhmen e tij. Chelsea ishte interesuar për transferimin e gjermanit, kontrata paraprake e së cilit skadonte në vitin 2021.

Këto spekulime ishin nxitur nga një deklaratë e Neuerit këtë vit, i cili e kritikoi ashpër Bayernin pasi të dhëna të hollësishme nga bisedimet për kontratën e tij u publikuan në media.

“Të gjitha bisedat që i kam pasur që prej vitit 2011 gjithmonë janë mbajtur me besim të madh. Kurrë asgjë nuk është zbuluar. Por tani janë zbuluar detaje nga bisedimet e tanishme dhe janë dalë në media, të cilat shpesh as që janë të vërteta. Kjo më bezdis. Unë nuk e njoh kështu Bayernin”, kishte thënë Neuer.

Megjithatë, tani situata ka ndryshuar dhe Neueri ka nënshkruar kontratë të re me Bayernin, që do ta mbajë atë në Allianz deri në vitin 2023.

the authorGazetaKNN