Rajon & Botë

Zyrtare: Putin urdhëroi ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Komiteti i inteligjencës amerikane ka përfunduar sot një raport të klasifikuar në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale, që u mbajtën vitin e shkuar në Shtetet e Bashkuara, ku theksohet se Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi një fushatë ndikimi, që synonte dëmtimin e kandidates Hillary Clinton dhe favorizimin e republikanit Donald Trump, raporton CCN.

“Ne vlerësojmë se Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një fushatë ndikimi në vitin 2016, me qëllim të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Qëllimet e Rusisë ishin të minojë besimin e publikut në procesin demokratik amerikan, të denigrojë Sekretaren Clinton, të dëmtojë elektoratin e saj dhe kryesimin e saj tw mundshëm. Ne edhe më tej të vlerësojmë se Putin dhe Qeveria ruse kanë zhvilluar një preferencë të qartë për presidentin e sapozgjedhur Trump”, thuhet në raport, transmeton KosovaPress.

“Përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale 2016 në SHBA, paraqesin shprehjen më të fundit të dëshirës së gjatë të Moskës për të minuar SHBA-të, si udhëheqës i rendit liberal demokratik”, vazhdon raporti dhe shtohet se kjo është zhvilluar bazuar në strategjinë ruse, përmes agjencive të saja inteligjente.

Pohimet për ndikimin e Rusisë dhe Putinit në zgjedhjet presidenciale deri më tani i ka kundërshtuar Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili deri në ditën e votimit sipas anketave ishte shumë mbrapa kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Hetimin e kësaj çështje e ka urdhëruar Presidenti Barack Obama, dhe urdhri i tij ishte i prerë, që duhet të përfundohet hetimi para përfundimit të mandatit të tij presidencial, ndërsa nëse vërtetohet që ka ndërhyrë në zgjedhje, Rusia do të ndëshkohet.

Tani mbetet të shihet se cilët janë hapat konkret që do të ndërmarrë Uashingtoni ndaj Moskës./KosovaPress/