Ibrahim Berisha (1955)- gazetar, shkrimtar, profesor.
Kreu studimet për filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Studimet master i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb dhe në Fakultetin Juridik në Prishtinë. U doktorua në fushën e sociologjisë së komunikimeve. Me shkrime nis të merret që nxënës, kur publikon poezi në revistën “Pionieri”. Vazhdon me gazetari dhe letërsi në revistën e studentëve “Bota e re” dhe revistën për rini “Zëri”. Nga viti 1978-1999 punoi gazetar dhe redaktor i kulrurës në gazetën ditore “Rilindja” dhe “Bujku”, pastaj redaktor në revistat “Fjala”, “Ora”, “Ekskluzive”, “Albanica”, “Jeta e re”. Themelues i Qendrës për Informim të Kosovës (1990) dhe udhëheqës i saj (1991-1993). Ishte në grupin inicues të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (1989).
Nga viti 2001, punoi ligjërues i gazetarisë dhe sociologjisë së komunkimeve në Shkollën e Gazetarisë “Faik Konica” dhe në Kolegjin AAB në Prishtinë, pastaj në Departamentin e Sociologjisë në Prishtinë ku vazhdon të jetë profesor i lëndëve nga fusha e komunikimeve dhe kulturës.
Disa nga librat e tij që përfshijnë vepra sociologjike e kulturologjike, poezi, tregime e novela, janë: Rrjetet e Kulturës, Shkrimtarët 1988, Vdekja e Kolonisë, Death of Colony, Mediakultura, Utopia reale, Mediat-Agjensët e komunikimeve, Konvergjenca intelektuale, Media dhe tranzicioni, Sociokulturë, Gruaja e vetmisë, Fryma e shiut, Të martën mbrëma, Origjina e rinjohjes, Hardhia e mureve, Sipërfaqja e së dieles, Fundi është i mundshëm, Kafazi i frikës, Fisi i mbretërve të humbur etj. Ka numër të punimeve akademike të botuara nëpër revista vendore dhe ndërkombëtare. Është përkthyer dhe përfshirë në antologji, në gjuhën gjermane, angleze, frenge, suedeze, sllovene, boshnjake, malazeze, maqedone, rumune etj. Ka fituar çmimin vjetor për librin më të mirë botuar në Kosovë (Origjina e rinjohjes) më 1997 ndarë nga SHSHK, çmimin për librin më të mirë të prozës (Gruaja e vetmisë) më 2000 MNF Tetovë, Çmimin Vjetor të Ministrisë së Kulturës për librin më të mirë me ese (2009), Çmimi për vepër letrare-100 vjetori i PEN-it International (Aroma e qiellit (2021), etj.
Jeton në Prishtinë.