Venera Kabashi – Llunji

Venera (Kabashi) Llunji u lind më 12 dhjetor 1968 në Prishtinë. Ka mbaruar Fakultetin Filologjik, Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze, ndërsa studimet e magjistraturës në Universitetin e Kalgarit në Kanada.

Ka përfunduar specializimin për Metodat bashkëkohore të mësimdhenies në Bournemouth, Angli, një specializim tjetër në Programin Zhvillimor për Udhëheqje të Lartë dhe Shkollën për Integrime Evropiane në Prishtinë.

Studimet e doktoratës i ka përfunduar në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit Europian të Tiranës, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike, me temë: “Nacionalizmi si ideologji në programet e partive politike shqiptare në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj”. Studimet e dyta doktorale i ndjek në Universitetin e Europës Juglindore (SEEU) në Maqedoni, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Kulturës dhe Komunikimit që nga viti 2015.


Ka përvojë pune nga viti 1991 si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës dhe në Kolegjin AAB që nga themelimi i tij.
Në vitet 2002-2005 ishte këshilltare politike e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa në prill të vitit 2008 u emërua këshilltare politike e ministrit të Punëve të Jashtme.


Venera Llunji ishte anëtare e Asociacionit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Frankfurt /Gjermani, Dega në Prishtinë, gjatë viteve 1992-1999; anëtare e grupit punues pranë OSBE-së në procesin e monitorimit të projekteve për zhvillimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës dhe në projektet për implementimin e standardeve për Kosovën sipas Rezolutës 1244; anëtare e grupit punues në projektin për reformë të kapaciteteve në administratë publike në vendet e Evropës Jug-lindore; pjesëmarrëse në grupin koordinues të UNIFEM-it në Planin e veprimit për barazi gjinore në Kosovë. Në vitin 2005 është shpallur Qytetare Nderi e qytetit Kalgari në Kanada.


Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare dhe kombëtare. Ka përkthyer tre libra nga fusha e politikës : “Meritojmë Mëvetësi”, “Republika e Kosovës” dhe “ Helmimi- gjenocid modern”.
Nga viti 2014 deri në vitin 2018 ishte dekane e Fakultetit të Gjuhes angleze në kolegjin AAB. Në nëntor të vitit 2018 u emërua zëvendës-rektore për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare në kolegjin AAB. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Jeton në Prishtinë.

INSTITUTI AAB
APLIKO