Në ambientet e Kolegjit AAB u mbajt ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët e përfshirë në projektin vullnetar “Promoting Cooperation through Language Learning and Volunteerism: English from Me to You”, i cili u zhvillua në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Zyrën për Projekte dhe SOS Fshatin.
Ky projekt i përvitshëm, tashmë i kthyer në një traditë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, përfshiu këtë vit 15 studentë të programit BA në Gjuhën Angleze. Gjatë periudhës dhjetor – maj, ata dhanë kontributin e tyre përmes orëve mësimore të zhvilluara me 92 fëmijë të SOS Fshatit, duke ofruar mbështetje edukative dhe emocionale. Nën mentorimin e profesorit Niman Dreshaj, studentët u angazhuan me përkushtim dhe kreativitet, duke e kthyer këtë përvojë në një mundësi të vlefshme zhvillimi personal dhe profesional.
Projekti u realizua falë mbështetjes nga granti studentor, duke dëshmuar angazhimin e Kolegjit AAB për përfshirjen aktive të të rinjve në komunitet dhe rolin e rëndësishëm që luan edukimi përmes vullnetarizmit.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Zyrës për Projekte dhe vetë studentët pjesëmarrës. Ngjarja u përmbyll me ndarjen e certifikatave dhe një foto simbolike për të përjetësuar këtë moment të veçantë.