Anëtarët e këshillit drejtues

Ilir Tafa

Kryetar i Këshillit Drejtues
  • +383 38 600 005

Ilir Tafa u lind në Lipjan më 1974. Është njëri ndër aktorët më të njohur dhe më të popullarizuar në Kosovë dhe jashtë vendit. Ai ka luajtur në shumë projekte filmike dhe teatrale në Kosovë dhe jashtë saj sidomos në Bosnje e Kroaci.

Ilir Tafa, me fillimin e studimeve nisi të zotërojë profesionin e aktorit, ku për një kohë shumë të shkurtër realizoi vepra brilante në teatër e kinematografi, si në vend ashtu edhe jashtë. Deri më tani ka luajtur në disa filma artistik dhe seriale,si dhe në shumë shfaqje teatrore, me role skenike nga më të ndryshmet si: ”Sonte jam vetëm”, ”Alo 038″, “Studio 2”, në filmat artistik “Atje ku nuk lind dielli”, “Shtëpia e tmerrit”, në serialet ”Kamera me yjet”, “Kandidati për president”, “Kaçurrelët”, “Zogjtë e luftës”.

Nga viti 2009 merr pjesë në shumë projekte artistike si në teatër, film dhe TV. Në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë Ilir Tafa është bërë i njohur me serialin “Lud, Zbunjen, Normalan”.

Çmimi “Aktorit më të mirë”, iu nda nga Festivali i Filmit i Kosovës – Gjilan, Festivali i Komedisë Shqiptare, në Preshevë, Festivali Ballkanik i Teatrit, në Prishtinë dhe Festivali i Teatrove Shqiptare i mbajtur në Dibër të Maqedonisë.

Ilir Tafa mban gradën më të lartë universitare në fushën e aktrimit dhe është mësimdhënës i disa lëndëve. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Ligjëron lëndët:

Diksion II

Interpretim

CV

Bujar Demjaha

Zëvendës Kryetar i Këshillit Drejtues

Bujar Demjaha u lind në Ferizaj më 1960. Është arkitekt i dalluar në Kosovë por edhe jashtë vendit. Ai ka dizajnuar shumë projekte dhe ka botuar disa libra me rëndësi në Kosovë, rajon, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, Francë, etj..

Përveç projektit të veçantë Memoriali “Adem Jashari” në Prekaz, Bujar Demjaha projektoi edhe disa memoriale në Prishtinë, Kleçkë, Gllogjan, Kërçovë, etj..

Projekte të tjera të rëndësishme të Demjahës, janë: Plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës, Plani Rregullues Urban i Lagjes Pejton në Prishtinë, Muzeu i Arteve Bashkëkohore të Kosovës (Konkurs vendi i parë).

Projekte nga lëmi i konservimit restaurimit, që duhet veçuar janë: Kompleksi “Engelhard” (shek. XV) – Blanzac në Francë, Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë.

Nga lëmi i enterierit rehabilitimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Muzeu i Kosovës në Prishtinë.

Librat:

2002    “Problem apo sfidë”, Finish Human Rights Project, bashkautor i librit

2005    “Përshtatja e Objekteve Publike për personat me aftësi të kufizuara”, Finish Human Rights Project

2006    “Përshtatja e ndërtesave publike për personat me aftësi të kufizuara”, HandiKOS-Prishtinë

2007    “Të dhënat teknike për projektimin e hapësirave arkitektonike dhe modulet”

2010    “Mjedis i lirë-shoqëri për të gjithë”, Këshilli i Evropës

2016    “Role of Tourism in rural Development in Dukagjini Region in Kosovo“, Lambert Academic Publication, Gjermani

2017    “Post-conflict urban reconstruction of bazaars in Gjakova and Peja, Kosovo” në librin “Authentic Reconstruction”, Bloomsbury, Londër, UK

2018    “Shkolla e fshatit në funksion të zhvillimit të zonave zurale të Kosovës “, Perfecta, Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë.

Bujar Demjaha mban gradën shkencore Doktor i Shkencave në fushën e Arkitekturës, Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe është mësimdhënës i disa lëndëve ne Kolegjin AAB dhe në Universitetin e Tetovës.

Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Mimoza Shahini

Anëtare e Këshillit Drejtues

CV

Arian Zeka

Anëtar i Këshillit Drejtues

Arian Zeka është Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Ai është emëruar në këtë pozitë në qershor të vitit 2012, ndërsa organizatës i është bashkuar në nëntor 2009 duke shërbyer si Udhëheqës i Departamentit të Politikave, i promovuar më vonë në Zëvendësdrejtor të organizatës. Nën udhëheqjen e tij, Oda Amerikane gati ka trefishuar anëtarësinë e saj, duke u shëndrruar në njërën prej Odave Amerikane më të suksesshme në mesin e 45 Odave Amerikane anembanë Evropës. Ai është edhe anëtar ex-officio i Qendrës së Arbitrazhit.

Ai është anëtar i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB që nga janari i vitit 2016, derisa në të njejtën kohë shërben edhe si anëtar i Bordit të kompanisë së sigurimeve “SCARDIAN”, anëtar i Bordit i Fondacionit Jahjaga dhe Zëvendëskryesues i Rrjetit Kosovar të Përgjegjësisë Sociale Korporative. Nga janari i vitit 2009, ai ka shërbyer si Ligjërues i Lartë i lëndëve Analiza e Biznesit (P11) dhe Kontabilisti në Biznes (P3) për programet e certifikimit profesional: Kontabilist i Çertifikuar dhe Auditor i Çertifikuar. Ai ka shërbyer si Kryesues i Zyrës së Komunitetit të Biznesit pranë Kuvendit të Kosovës, dhe Kryesues i Këshillit Konsultativ Fiskal, Konsulent në Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Programe të Bankës Botërore, etj.

Arian Zeka është Magjistër i Shkencës (MSc) në Menaxhment, si dhe pjesëmarrës i Programit të Lidershipit “Open World” të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Arta Rama

Anëtare e Këshillit Drejtues

PhD.c Arta Rama-Hajrizi është një juriste e shquar dhe eksperte e së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare, me një përvojë të pasur në fushën akademike, institucionale dhe diplomatike. E lindur dhe arsimuar në Prishtinë, ajo është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master i ka përfunduar në American University – Washington College of Law në SHBA, me bursën prestigjioze Ron Brown Fellowship. Aktualisht është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin e Szegedit në Hungari, me fokus në pavarësinë institucionale të gjykatave kushtetuese.

Karriera e saj akademike ka filluar që herët me angazhime në Universitetin e Prishtinës, ku për afro dy dekada ka ushtruar detyrën e asistentes së lartë në lëndën e së drejtës kushtetuese. Ajo aktualisht ligjëronFakultetin Juridik dhe në Fakultetin e Administratës Publike në Kolegjin AAB, ndërsa është edhe anëtare e Bordit Drejtues të këtij institucioni.

Në periudhën 2012–2021, Arta Rama-Hajrizi ka shërbyer si Gjyqtare dhe Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke qenë gruaja e parë në këtë post të lartë institucional. Në këtë pozitë, ajo ka udhëhequr procese kyçe për zhvillimin e jurisprudencës kushtetuese dhe ruajtjen e balancës së pushteteve në një demokraci në tranzicion. Më parë, gjatë viteve 2008–2012, ka përfaqësuar Kosovën si Konsulle e Përgjithshme në New York, ku themeloi Konsullatën e Kosovës në SHBA – një nga përfaqësitë e para diplomatike të vendit të sapo shpallur të pavarur.

Rama-Hajrizi është ndër figurat më të rëndësishme që kanë kontribuar në ndërtimin e bazës juridike të shtetit të Kosovës. Ka qenë anëtare e Grupit Punues për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës (2007–2008) dhe më herët ka marrë pjesë në hartimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (2004–2006). Ajo është angazhuar gjithashtu në projekte të USAID-it për reformën në sistemin gjyqësor, përfshirë edhe detyrën e juristes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Përvojën e saj e ka plotësuar me punë në organizata të njohura ndërkombëtare si Finnish Human Rights Program dhe Academic Training Association.

Kontributi i saj në fushën akademike është i pasur dhe shumëdimensional. Ka publikuar një numër të madh punimesh shkencore dhe ka marrë pjesë në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare në Evropë dhe SHBA. Prej tyre, veçohen prezantimet në konferenca prestigjioze si ICON-S në Madrid, Siracusa Institute në Itali, Universiteti i Notre Dame në Romë, si dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Ndër publikimet e saj të fundit përmenden:

  • “Përfundimi i një rivaliteti të pafund: Rasti i bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës” (ASHK, 2024)
  • “Avancimi i Gjyqësisë Kushtetuese përmes bashkëpunimit me Komisionin e Venecias” (ASHK, 2023)
  • “Policy Process and Policy Development Capacity in Kosovo” (KFOS & LGI/OSI, 2006)

Ajo është gjithashtu përkthyese e doracakut “Kuptimi i të Drejtave të Njeriut” (2005), një manual ndërkombëtar mbi edukimin për të drejtat e njeriut.

Përveç angazhimit në arsimin e lartë dhe institucionet e drejtësisë, Arta Rama-Hajrizi ka përfaqësuar Kosovën si zëvendësanëtare në Komisionin e Venecias (2014–2018), një trupë e rëndësishme këshillimore për të drejtën kushtetuese pranë Këshillit të Evropës.

Gjatë viteve të karrierës, ajo është nderuar me një sërë bursash prestigjioze ndërkombëtare, ndër to:

  • Stipendium Hungaricum (2021–2025), bursa për studime të doktoratës në Hungari
  • Bertha von Suttner Stipendium (2008–2011) nga Ministria e Jashtme e Austrisë
  • Ron Brown Fellowship (2002–2003) nga Departamenti i Shtetit Amerikan
  • KFOS & OSI Fellowships për zhvillimin e politikave publike dhe ligjërimin akademik

Ajo flet rrjedhshëm shqip, anglisht dhe serbisht. 

Është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Prishtinë.

Fadil Vokrri

Anëtar Nderi i KD-së

Fadil Vokrri – (23.06.1960-09.06.2018) – anëtar nderi

Fadil Vokrri u lind më 23 qershor të vitit 1960 në Podujevë, ndërsa ndërroi jetë më 09 qershor 2018.

Me futboll nisi të merrej si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij “Prishtina”, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës, si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së, detyrë kjo që e ushtroi deri në fund të jetës së tij (09.06.2018).

Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit. Përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhën frënge, turke dhe serbo-kroate.

Me vendim të Kolegjit AAB, Fadil Vokrri do të mbetet anëtar i përhershëm nderi i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB.