“16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” – OSBE dhe Kolegji AAB organizojnë tryezë diskutimi

5 Dhjetor 2024

Duke theksuar nevojën për veprim për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Kolegji AAB kanë organizuar tryezë diskutimi me temën “Roli i akademisë në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, me fokus në femicid”.

Tryeza u moderua nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, ku të ftuar ishin: Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, u.d e Shefit të Misionit të OSBE’së në Kosovë Cornelia Taylor, këshilltarja për Çështjet Gjinore në OSBE Biljana Nastovska, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Duda Balje dhe Adelina Berisha nga OJQ Rrjeti i Grave të Kosovës.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, foli në rolin e nikoqirit duke e vlerësuar organizimin e kësaj tryeze, e cila dëshmon angazhimin e vazhdueshëm për këto çështje të rëndësishme.

“Në Kolegjin AAB, ne jemi krenarë që sot jemi mikpritës të kësaj tryeze si pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm ndaj këtyre çështjeve të rëndësishme. Si një institucion i përkushtuar ndaj ekselencës akademike dhe përgjegjësisë shoqërore, Kolegji AAB ka shërbyer vazhdimisht si një vendtakim për dialog, avokim dhe veprim kundër dhunës me bazë gjinore. Mikpritja për këtë aktivitet pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur për të sjellë ndryshim në shoqëri”, tha Olluri.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përmendi hapat e deritanishëm që janë ndërmarrë për të parandaluar këtë fenomen, qoftë me anë të vetëdijësimit të shoqërisë por edhe me ndëshkime ligjore për shkaktuesit e dhunës.

“Ne kemi vlerësuar se institucionet duhet ta marrin përgjegjësinë në raport me rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Gjithashtu është përgjegjësi e të gjithëve si shoqëri që të ndërmarrim veprime kudo ku jemi dhe çfarëdo roli që kemi për ta adresuar këtë fenomen me të cilin po përballemi”, shtoi Haxhiu ndër të tjera.

Ushtruesja e detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë Cornelia Taylor, gjithashtu ndau raste të shumta të dhunës me bazë gjinore dhe në familje, gjatë eksperiencës së saj. Ajo për studentët e Fakultetit Juridik theksoi rolin që kanë ata në të ardhmen dhe se si mund të ndihmojnë viktimat e dhunës.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Duda Balje, vendosi fokusin në punën dhe angazhimin gjatë përpunimit të Ligjit Kundër Dhunës në Familje, duke ditur rëndësinë që ka zbatimi i tij dhe se si përmes tij adresohen problemet e shoqërisë siç është dhuna.

Tryeza vazhdoi diskutimet në sesionin e dytë të moderuar nga Gergana Vaklinova Këshilltare e Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve në Misionin e OSBE-së në Kosovë, si dhe pjesëmarrësit: Adelina Berisha nga OJQ Rrjeti i Grave në Kosovë, profesoresha e Fakultetit Juridik Ganimete Ismajli dhe kryetari i Unionit Studentor në Kolegjin AAB Gent Anadolli.

Temat të cilat u trajtuan ishin: Vrasjet e grave dhe vajzave të lidhura me gjininë – një përmbledhje me fokus në mekanizmat e parandalimit; Roli i akademisë në promovimin e zero tolerancës kundër dhunës ndaj grave mes brezave të juristëve; Rëndësia e OJQ’ve për të drejtat e grave në parandalimin e vrasjeve me bazë gjinore – bashkëpunimi me sektorët e drejtësisë dhe akademisë; Roli i të rinjve në parandalimin e dhunës ndaj grave, etj.

Share: