20 studentë të Fakultetit të Psikologjisë përfunduan me sukses punën praktike në qendrat psiko-sociale të Kosovës

7 Maj 2019

Studentët e Psikologjisë të Kolegjit AAB, përveç sukseseve të treguara gjatë studimeve, janë të angazhuar për punë praktike edhe në institucione vendore e ndërkombëtare me të cilët Kolegji AAB ka bashkëpunim të vazhdueshëm.

Fakulteti i Psikologjisë ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi me institucione të ndryshme psiko-sociale, ku përveç aktiviteteve të përbashkëta që organizohen gjatë vitit akademik, nuk mungojnë as praktikat e studentëve që sigurohen përmes implementimit të këtyre bashkëpunimeve.

Duke i shfrytëzuar këto mundësi që ofron Kolegji AAB, edhe 20 studentë të Fakultetit të Psikologjisë kanë përfunduar me sukses punën praktike në qendra të mëdha që operojnë në Kosovë, siç janë:  “Downsyndrome”, “Education Comes First”, “Caritas”, “PEMA”, “Duart plotë mëshirë” dhe “Jetë e Pavarur”.

Gjatë kontaktimit me studentët në lidhje me përvojat e tyre gjatë kryerjes së punës praktike pranë këtyre qendrave,  ata u shprehën se praktika të tilla janë të domosdoshme, sidomos për profesionin e një psikologu, ku praktika është ajo që të ndihmon të kompletosh kompetencat akademike duke të bërë të gatshëm për tregun e punës.

Vlen të theksohet se Fakulteteti i Psikologjisë tashmë ka shtrirë bashkëpunim me organizata psiko-sociale edhe në qytete të tjera të Kosovës, si; Peja, Gjilani, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë, duke iu mundësuar studentëve që të vijojnë praktikën profesionale në vendin ku jetojnë.

Share: