Stafi i Kolegjit AAB i përbërë nga profesorët Aida Alla, Shkëlqim Miftari dhe zyrtarja për projekte Erëza Mehmeti, morën pjesë në një punëtori tre ditore në Universitetin Europian të Tiranës, në kuadër të projektit MORIN të financuar nga programi Erasmus+ i Komisionit Evropian.
Fokusi i punëtorisë ishte krijimi i udhëzimeve për Njohjen Akademike përmes Rezultateve të të Nxënit. Takimi nisi me fjalët përshëndetëse nga koordinatori i projektit, Universiteti i Vlorës dhe universiteti nikoqir, ku u prezantuan objektivat dhe struktura e punëtorisë.
Fillimisht, partnerët ndërkombëtarë kanë ndarë praktikat e tyre më të mira përmes prezantimeve, më pas pjesëmarrësit nga universitetet partnere të Ballkanit Perëndimor u organizuan në grupe punuese, për të diskutuar dhe hartuar përmbajtjen e Udhëzuesit për Njohjen Akademike përmes Rezultateve të të Nxënit, i cili do të jetë një nga produktet e projektit.
Puna e përbashkët për krijimin e udhëzuesit do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vazhdim, krahas aktiviteteve të tjera, deri në përfundimin e produktit final. Kjo ngjarje u përmbyll edhe me një takim të përfaqësuesve të konsorciumit për të diskutuar planet e shpërndarjes, financat dhe progresin e përgjithshëm të projektit.
Stafi i Kolegjit AAB u shprehën se kjo ishte një përvojë frymëzuese dhe e pasur për të gjithë pjesëmarrësit, për shkak të mundësisë së tyre për të ndarë dhe për të mësuar praktika të mira nga partnerët ndërkombëtarë, duke kontribuar në zhvillimin e një produkti të rëndësishëm akademik i cili do të përdoret në të ardhmen.