Programi profesional BA në Programimin e Lojërave Kompjuterike synon t’u sigurojë studentëve një
përvojë të fokusuar arsimore në programimin e lojërave kompjuterike. Qëllimi ynë kryesor është të
përgatisim studentët për të kuptuar thellësisht përdorimin dhe zhvillimin e lojërave kompjuterike dhe
avancimin e tyre në këtë fushë. Krahas programeve të tjera të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike që
fokusohen në Inxhinieri Softuerike ose Programim të përgjithshëm, Programimi i Lojërave Kompjuterike
u ofron studentëve mundësinë për të thelluar njohuritë dhe aftësitë e tyre në mënyrë të specializuar në
programimin e lojërave kompjuterike, duke përfshirë dizajnimin e lojërave, aspektet e etikës të
programimit të lojërave kompjuterike, implikimet e inteligjencës artificiale në këtë fushë, konceptimin
dhe menaxhimin e projekteve, përdorimin e marketingut dhe komercializimin e aplikacioneve të lojërave
kompjuterike, etj.
Gjithashtu, përmes projekteve kërkimore dhe inovative, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike synon të
kontribuojë në krijimtarinë e studentëve duke i mbështetur dhe inkurajuar ata për të inovuar gjatë
zhvillimit dhe mirëmbajtjes së lojërave kompjuterike. Programi profesional BA në Programimin e
Lojërave Kompjuterike synon të përgatisë profesionistë që janë të specializuar në programimin e lojërave
kompjuterike dhe janë të gatshëm dhe të aftë të angazhohen në industrinë e zhvillimit të aplikacioneve të
lojërave dhe krijimit të përmbajtjes inovative.
Programi u ofrohet të gjithë studentëve që janë të interesuar të ndjekin studimet profesionale universitare
në teknologjinë e informacionit me fokus zhvillimin e lojërave kompjuterike. Rrjedhimisht, Fakulteti i
Shkencave Kompjuterike synon të tërheqë studentë kreativë dhe kureshtarë për të avancuar lidhjen mes
programimit dhe lojërave kompjuterike.
Studentët do të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të pavarur dhe në grup për projekte lojërash. Ata
gjithashtu do të jenë në gjendje të komunikojnë rezultatet e punës së tyre përmes prezantimeve të
projekteve të ndryshme para klasës dhe ligjëruesve. Me marrjen e bazave teorike dhe praktike, studentët
do të mund të përballen me sfidat që lidhen me industrinë e lojërave kompjuterike dhe zhvillimin e
teknologjisë së informacionit pas diplomimit. Përmbajtja e programit përfshin lëndë të specializuara në
programimin dhe gjuhët programuese, mjetet dhe teknologjitë për zhvillimin e lojërave, lëndë të
përgjithshme si menaxhimi i projektit, si dhe lëndë zgjedhore që u mundësojnë studentëve të zgjedhin
bazuar në interesat e tyre personale dhe të qëndrojnë të përditësuar me tendencat më të fundit në fushën e
teknologjisë së informacionit.
Njohuritë:
– përshkruajnë bazat e programimit për programet softuerike dhe zhvillimin e lojërave kompjuterike;
– identifikojnë gjuhë të përshtatshme programuese për ndërtim të modeleve për lojëra kompjuterike dhe paraqesin teoritë e grafeve;
– analizojnë metodat matematikore nga matematika diskrete dhe kompjuterike me qëllim të aplikimit të tyre në gjuhë programuese;
– vlerësojnë modele të përshtatshme të bazave të të dhënave për lojëra kompjuterike dhe bazave DevOps për siguri;
– shfrytëzojnë njohuri të inteligjencës artificiale për programimin e lojërave kompjuterike dhe dizajnimin e tyre;
– demonstrojnë njohuri të përgjithshme për programim të lojërave kompjuterike për mobile, lojërave përmes rrjeteve sociale dhe programimin e lojërave 3D;
Shkathtësitë:
– përdorin mendimin kreativ për zhvillimin e lojërave të ndryshme për sisteme të ndryshme operative duke përfshirë kompjuterët, pajisjet mobile dhe aplikimin e tyre përmes rrjeteve sociale;
– komunikojnë në formë verbale dhe jo verbale në gjuhën shqipe dhe angleze duke hartuar projekte të lojërave kompjuterike dhe projekte tjera programuese;
– përdorin të menduarit kritik për të zgjidhur problemet logjike, për të krijuar kode për programet dhe për të gjetur mënyra krijuese për të përmirësuar funksionet ekzistuese;
Kompetencat:
– zbatojnë njohuritë teorike dhe praktike duke përfshi modele të ndryshme matematikore dhe logjike për programimin e lojërave kompjuterike në punë praktike;
– janë në gjendje që në mënyrë të pavarur të krijojnë lojëra kompjuterike dhe të hartojnë projektin final të diplomimit duke shfrytëzuar njohuritë e fituara profesionale dhe rregulloret e Kolegjit;
– organizojnë punën në ekip me përgjegjësi profesionale dhe etike, iniciativë krijuese dhe origjinalitet duke kontribuar në mënyrë efektive aktivitetet e bazuar në ekip;
– krijojnë dhe zhvillojnë aplikacione inovative të lojërave të përshtatshme për tregun e punës.
Me rastin e përfundimit të studimeve, kandidati fiton thirrjen: Bachelor profesional në Programim të Lojërave Kompjuterike.
Studimet në Programin BA profesional në Programim të Lojërave Kompjuterike zgjasin 3 vite, 180 ECTS me gjithsej 6 semestra.