Ardian Sallauka, i lindur më 25 qershor 1991 në Budakovë, Kosovë, është kandidat për doktoratë në Mësimdhënie të Gjuhës në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir. Me mbi një dekadë përvojë në arsimin e lartë dhe administratën universitare, ai aktualisht punon si lektor i gjuhës angleze në Kolegjin AAB në Prishtinë dhe si koordinator i projektit Erasmus+ WB-Edu4Migration.
Rruga e tij akademike ka nisur me Bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës (2014), ndërsa studimet master i ka përfunduar në Gjuhë Angleze në Kolegjin AAB, me sukses të lartë (2019). Fokusimi i tij kërkimor dhe mësimor përfshin pedagogjinë gjuhësore, linguistikën e aplikuar dhe arsimimin bilingual, me theks të veçantë në zhvillimin e kurrikulës dhe politikat arsimore në kontekste tranzitore.
Gjatë viteve, Ardiani ka mbajtur pozita të ndryshme në AAB, si Asistent i Lartë Administrativ pranë Këshillit Drejtues, Asistent Ekzekutiv i Rektorit, dhe Asistent Mësimor Universitar, duke fituar përvojë të gjerë në menaxhimin akademik, koordinimin e projekteve dhe zhvillimin institucional. Ai është angazhuar gjerësisht në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ligjërata mysafire dhe mobilitete mësimore Erasmus+ në Ballkanin Perëndimor.