Më 29 dhe 30 janar, në kuadër të projektit Sustain Edu: Advancing Sustainable Development in Higher Education, u zhvilluan dy punëtori paralele mbi Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), duke sjellë në fokus çështje kyçe për shëndetin, mirëqenien, punën e denjë dhe rritjen ekonomike.
Në punëtorinë mbi SDG3: Shëndeti dhe Mirëqenia, udhëhequr nga Tomasz Bojar-Fijałkowsk (Powislanski University, Poloni), pjesëmarrësit analizuan politikat kombëtare dhe ndërkombëtare për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies. U theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional, barazisë gjinore dhe aksesit të barabartë në shërbimet shëndetësore, si dhe sfidat kryesore si financimi i kujdesit shëndetësor dhe ndikimi i legjislacionit të punës në mirëqenien sociale.
Në punëtorinë mbi SDG8: Punë e Denjë dhe Rritje Ekonomike, udhëhequr nga Katarzyna Strzała- Osuch (Powislanski University, Poloni), pjesëmarrësit shqyrtuan punën e denjë, të drejtat e punëtorëve dhe sfidat në tregun e punës në Kosovë dhe Shqipëri. Diskutimet u fokusuan në sigurinë në punë, barazinë dhe sipërmarrjen sociale, duke analizuar strategji për përmirësimin e punës dhe rritjes ekonomike në nivel lokal.
Trajnimi përfundoi me një reflektim të rëndësishëm mbi hapat e ardhshëm për një shoqëri më të shëndetshme, më të barabartë dhe më të qëndrueshme ekonomikisht.
Projekti bashkëfinancohet nga qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve Visegrad nga Fondi Ndërkombëtar Visegrad. Misioni i fondit është të promovojë ide për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Qendrore.
Organizimi i punëtorive u mundësua nga Qendra për Aftësim Profesional dhe Inovacion (QAPI) në bashkëpunim me Zyrën e Projekteve.