Programi i studimit Bachelor Përkujdesje dhe Mirëqenia e Fëmijëve ka për qëllim përgatitjen e kuadrove profesionale për të ushtruar rolin e edukatorit me fëmijët e moshës 0-6 vjeç, përfshirë fëmijët në çerdhe, kopshte, vendqëndrime individuale e kolektive, si dhe në klasën përgatitore për moshën 5-vjeçare.
Përmes një formimi të qëndrueshëm teorik dhe praktik, studentët pajisen me kompetenca për të punuar dhe për t’u zhvilluar si edukatorë, mbikëqyrës institucionesh të edukimit të hershëm, apo si ekspertë në projekte dhe programe sociale që promovojnë përkujdesjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
Në realitetin socio-ekonomik të Kosovës, për shkak të angazhimeve profesionale të prindërve, përkujdesja ndaj fëmijëve shpesh delegohet te kujdestarët individualë ose institucione të kujdesit ditor. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtij kujdesi ofrohet nga persona pa përgatitje profesionale, e në disa raste edhe pa arsimim fillor, duke krijuar një mjedis joformal dhe potencialisht të pasigurt për zhvillimin e fëmijës.
Mungesa e mekanizmave të kontrollit institucional apo kërkesave për licencim në këto raste e bën edhe më të domosdoshëm formimin e profesionistëve të kualifikuar në këtë fushë.
Për rrjedhojë, programi BA në Përkujdesje dhe Mirëqenie të Fëmijëve jo vetëm që synon ngritjen e cilësisë së përkujdesjes dhe edukimit të hershëm, por kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e sistemit social në përgjithësi.
Përmes përgatitjes së studentëve me njohuri bashkëkohore dhe aftësi praktike të aplikuara, programi ndihmon në ndërtimin e një kuadri profesional të qëndrueshëm, të përgatitur për të përmbushur nevojat aktuale dhe të ardhshme të shoqërisë kosovare.
Pas përfundimit të studimeve, studentët e programit BA në Përkujdesje dhe Mirëqenie të Fëmijëve do të jenë të pajisur me kompetenca profesionale dhe përgjegjësi të mirë përcaktuara në fushën e edukimit dhe përkujdesjes së hershme. Aftësitë e zhvilluara përfshijnë:
Njohjen e teorive bashkëkohore mbi zhvillimin psikosocial të fëmijëve dhe ndikimin e tyre në procesin edukativ;
Kuptimin dhe zbatimin e rregullativës ligjore që ndërlidhet me përkujdesjen dhe mirëqenien e fëmijëve në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare;
Integrimin e njohurive mbi zhvillimin fizik të fëmijëve në planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve edukative;
Aplikimin e perspektivave kulturore dhe mjedisore në procesin edukativ dhe ndërveprimin me fëmijët në kontekste të ndryshme shoqërore;
Zbatimin e teorive dhe metodologjive të mësimdhënies dhe të nxënies në institucione të edukimit të hershëm;
Pjesëmarrjen aktive në bashkëpunimin me prindërit dhe komunitetin përmes praktikave të strukturuara edukative dhe komunikimit profesional;
Thellimin e njohurive për ndryshimet psikosociale gjatë fëmijërisë së hershme, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të fëmijës;
Aftësinë për të krijuar dhe menaxhuar hapësira private të përkujdesjes për fëmijë në përputhje me kërkesat profesionale dhe ligjore;
Zhvillimin dhe realizimin e projekteve kërkimore shkencore në fushën e përkujdesjes dhe mirëqenies së fëmijëve;
Zbatimin e praktikave bashkëkohore në menaxhimin e institucioneve edukative parashkollore, duke siguruar cilësi dhe efektivitet në shërbimet e ofruara.
Bachelor në Përkujdesje dhe Mirëqenie të Fëmijëve
Studimet organizohen të rregullta dhe pa shkëputje nga puna, ku kërkohet prezenca e studentëve në ligjërata dhe ushtrime. Oraret janë fleksibile – varësisht nga kërkesat dhe mundësitë e studentëve për të vijuar ligjëratat.
Lënda “Kulturë gjuhe I” synon pajisjen e studentëve me njohuri të thelluara teorike dhe aftësi praktike në drejtshkrimin e gjuhës shqipe standarde, si dhe në analizën gramatikore të pjesëve të ligjëratës. Studentët do të zhvillojnë kompetenca gjuhësore për mësimdhënie të suksesshme dhe komunikim profesional.
Lënda “Pedagogji e Përgjithshme” synon të pajisë studentët me njohuri teorike dhe aftësi praktike në fushën e pedagogjisë, duke përfshirë teoritë edukative, rëndësinë e edukimit për zhvillimin personal dhe shoqëror, veçoritë antropologjike, dhe menaxhimin e sfidave në institucionet parashkollore me fokus në bashkëpunimin me familjen dhe politikat institucionale.
Lënda “Teknologji Informative” ofron njohuri themelore në fushën e TIK-ut, duke i aftësuar studentët për përdorimin e kompjuterëve personalë, harduerit, softuerit dhe sistemeve operative. Studentët do të mësojnë diagnostikimin dhe zgjidhjen e problemeve teknike, menaxhimin e fajllave, përdorimin e programeve për përpunim teksti, llogaritje, prezantime, si dhe shfletuesve të internetit dhe postës elektronike.
Lënda “Hyrje në Psikologji” ofron njohuri themelore mbi teoritë, metodat dhe fenomenet kryesore psikologjike. Ajo zhvillon aftësitë e studentëve për të kuptuar zhvillimin antropologjik të fëmijëve, përgatitjen e materialeve mësimore, përdorimin e metodave efektive të mësimdhënies dhe vlerësimit, si dhe promovimin e strategjive motivuese për angazhim aktiv në procesin edukativ.
Lënda “Gjuha Angleze” ka për qëllim zhvillimin e aftësive të studentëve në lexim, shkrim dhe komunikim gojor në gjuhën angleze. Përmes ushtrimeve praktike, studentët forcojnë vetëbesimin dhe saktësinë në përdorimin e gjuhës, ndërsa pasurojnë fjalorin dhe kuptimin përmes leximit, dëgjimit dhe analizës së teksteve autentike, duke përgatitur kështu komunikim efektiv në situata të ndryshme profesionale dhe sociale.
Lënda “Kulturë Gjuhe II” synon përvetësimin e njohurive teorike dhe zhvillimin e aftësive praktike në sintaksën e gjuhës shqipe. Kursi trajton identifikimin dhe argumentimin e konstrukteve sintaksore, bashkimin e fjalëve në ligjërim të lidhur, klasifikimin e njësive sintaksore dhe gjymtyrëve të fjalisë, duke konsoliduar kompetencat gjuhësore të studentëve për përdorim të saktë dhe efektiv të gjuhës.
Lënda “Pedagogji Parashkollore” synon që studentët të përvetësojnë njohuri teorike mbi edukimin parashkollor, duke njohur qëllimet, parimet dhe metodat specifike të tij. Kursi trajton karakteristikat moshore të fëmijëve parashkollorë, zhvillimin e aktiviteteve për ta, si dhe ballafaqimin me dokumentet zyrtare dhe funksionimin e institucioneve përkatëse.
Lënda “Shkrimi Akademik” ofron njohuri teorike dhe praktike mbi procesin e shkrimit funksional. Kursi aftëson studentët të përdorin materialet ekzistuese për të përmirësuar cilësinë e shkrimeve, duke mësuar format dhe strukturat e letrave, kërkesave, raporteve, eseve, ligjëratave dhe punimeve kërkimore, për zhvillimin e aftësive të komunikimit akademik efektiv.
Lënda “Edukimi gjithëpërfshirës me metodologji” synon të pajisë studentët me njohuri teorike dhe aftësi praktike për integrimin efektiv të fëmijëve me nevoja të veçanta në institucionet parashkollore. Kursi përqendrohet në konceptet themelore, planifikimin, përdorimin e mjeteve mësimore dhe metodologjitë e vlerësimit, duke zhvilluar shkathtësitë akademike dhe praktike në përputhje me trendet bashkëkohore të edukimit gjithëpërfshirës.
Lënda “Bashkëpunimi Institucion Parashkollor-Familje-Komunitet” synon të pajisë studentët me njohuri dhe aftësi për të ndërtuar marrëdhënie partneriale efektive mes shkollës, familjes dhe komunitetit. Fokuson rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin optimal të fëmijës, njohjen e koncepteve dhe zbatimin praktik në institucionet parashkollore.
Lënda “Letërsi për Fëmijë” synon të prezantojë format, metodat dhe teoritë kryesore të letërsisë për fëmijë, duke zhvilluar vetëdijen letrare dhe aftësitë kritike të studentëve. Kursi përshkruan veçantitë e letërsisë shqipe për fëmijë dhe i pajis studentët me njohuritë e nevojshme për analizë dhe interpretim.
Lënda “Mirëqenia Sociale në Fëmijërinë e Hershme” synon pajisjen e studentëve me njohuri teorike dhe aftësi praktike mbi konceptet, sfidat dhe modelet e mirëqenies në kontekste vendore dhe ndërkombëtare. Kursi zhvillon kompetenca për analizë kritike, komunikim efektiv dhe zbatim të praktikave mbështetëse në fushën e kujdesit infantil.
Lënda “Metodologji Edukimi” synon zhvillimin e njohurive dhe kompetencave të studentëve në organizimin dhe zbatimin e procesit edukativo-arsimor në institucionet parashkollore. Fokus kryesor janë praktikat bashkëkohore pedagogjike, roli i edukatorit, planifikimi sipas kurrikulës dhe faktorët që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të fëmijës.
Lënda “Psikologji Edukimi” ofron njohuri mbi teoritë, parimet dhe hulumtimet themelore në psikologjinë e edukimit, duke integruar qasje nga psikologjia njohëse, zhvillimore dhe sociale. Synon zhvillimin e kompetencave akademike, mendimit kritik dhe aftësive praktike për zbatimin efektiv të këtyre njohurive në kontekste edukative.
Lënda “Zhvillimi Logjik i Koncepteve Matematikore” synon pajisjen e studentëve me njohuri teorike dhe aftësi praktike për zhvillimin e koncepteve bazike matematikore. Fokus i veçantë i jepet përdorimit të metodave edukative, planifikimit dhe zbatimit të materialeve mësimore, si dhe operacioneve themelore në procesin mësimor.
Lënda “Psikologji Sociale” synon të ofrojë një pasqyrë të gjerë mbi konceptet themelore të ndërveprimit social, si qëndrimet, atribuimet, konformiteti, ndikimi social, paragjykimet dhe dinamika e grupit. Studentët zhvillojnë njohuri mbi vetën sociale, perceptimin dhe njohjen sociale, emocionet, marrëdhëniet ndërpersonale dhe ndikimin e kontekstit kulturor në sjellje.
Lënda “Zhvillimi njohës dhe i botës përreth” synon të ofrojë një kuptim të gjerë të proceseve njohëse gjatë fëmijërisë së hershme, duke përfshirë zhvillimin e të menduarit, kujtesës, vëmendjes, perceptimit dhe gjuhës. Studentët do të fitojnë njohuri për mënyrën se si fëmijët ndërveprojnë me botën përreth përmes lojës, eksplorimit dhe ndërveprimeve sociale. Po ashtu, lënda trajton ndikimin e faktorëve kulturorë, socialë dhe emocionalë në zhvillimin njohës dhe formimin e përvojës së hershme të fëmijëve.
Lënda “Edukimi Figurativ” zë vend të rëndësishëm në zhvillimin kreativ të fëmijëve, ndaj synon pajisjen e studentëve me njohuri dhe aftësi për të prezantuar artin në mënyrë të përshtatshme për moshën dhe nevojat e fëmijëve. Kursi nxit shprehjen e lirë figurative, imagjinatën dhe të kuptuarit e gjuhës figurative.
Lënda “Edukimi dhe Zhvillimi në Fëmijërinë e Hershme” synon të pajisë studentët me njohuri teorike dhe praktike mbi zhvillimin psiko-social të fëmijës në aspektin fizik, emocional e social. Fokus i veçantë i jepet aplikimit të strategjive edukative në institucionet parashkollore dhe aftësimit të studentëve për ndërhyrje të mirëfillta pedagogjike.
Lënda “Teoria e Mësimit me Punë Praktike” synon të zhvillojë njohuri teorike dhe aftësi praktike në organizimin, menaxhimin dhe vlerësimin e procesit mësimor. Përmes trajtimit të sfidave të mësimdhënies, metodave ndërvepruese dhe qasjeve efektive, studentët aftësohen për zbatim të suksesshëm të teorisë në praktikë edukative.
Lënda “Bazat e Edukimit Muzikor me Metodologji” synon aftësimin e studentëve për të punuar në fushën e edukimit muzikor me fëmijët e moshës 0–6 vjeç. Studentët do të njihen me terminologjinë bazë muzikore, zhanret dhe format, si dhe do të praktikojnë përdorimin e instrumenteve për fëmijë dhe përzgjedhjen e përmbajtjeve muzikore në mënyrë profesionale.
Lënda “Lojëra Matematikore” synon të aftësojë studentët në përdorimin e lojërave si mjet pedagogjik për zhvillimin e koncepteve matematikore tek fëmijët e moshës së hershme. Kursi përqendrohet në planifikimin dhe zbatimin e lojërave që nxisin të menduarit logjik, njohjen e numrave, figurave gjeometrike dhe aftësitë bazë matematikore në një mënyrë kreative dhe interaktive.
Lënda “Zhvillimi Psiko-Motorik përmes Lojërave” synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe aftësitë praktike të studentëve për organizimin e aktiviteteve lëvizore të integruara në lojëra, me qëllim zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijëve parashkollorë. Kursi trajton karakteristikat, elementet dhe planifikimin e lojërave të përshtatura për nevojat e moshës së hershme.
Lënda “Politikat Sociale në Fëmijërinë e Hershme” trajton marrëdhëniet ndërmjet sistemeve edukative dhe proceseve sociale, ekonomike, kulturore dhe politike. Synon të zhvillojë njohuritë e studentëve në sociologjinë e edukimit, duke analizuar teoritë, format e veprimtarive edukative dhe ndikimet socio-kulturore dhe teknologjike në arsimin bashkëkohor.
Lënda “Integrimi i teknologjisë në edukim” synon të zhvillojë njohuritë e studentëve mbi përdorimin efektiv të teknologjisë në edukimin e hershëm. Fokus i veçantë i kushtohet mjeteve digjitale që nxisin zhvillimin e fëmijëve, ndikimit të teknologjisë në të nxënë, përdorimit etik dhe rolit të edukatorit në këtë proces.
Lënda “Edukimi Fizik me Metodologji” zhvillon njohuri teorike dhe aftësi praktike për organizimin dhe drejtimin e mësimit fizik në grupmosha të ndryshme. Fokuson zhvillimin antropologjik të fëmijëve, planifikimin, metodat mësimore, vlerësimin dhe strategjitë motivuese për përfshirje aktive dhe udhëheqje efektive.
Lënda “Udhëheqja dhe Menaxhimi i Institucioneve Arsimore” synon zhvillimin e njohurive dhe aftësive të studentëve për drejtimin efektiv të institucioneve arsimore. Trajton mekanizmat e udhëheqjes, kornizën ligjore, analizën e praktikave menaxheriale, hartimin e politikave dhe përfshirjen e grupeve të ndryshme në procesin drejtues.
Lënda “Kujdesi shëndetësor me higjienë” synon të pajisë studentët me njohuri bazë mbi praktikat e kujdesit shëndetësor dhe higjienës personale dhe institucionale, me fokus në promovimin e një ambienti të sigurt dhe të shëndetshëm për fëmijët në institucionet parashkollore.
Lënda “Shkathtësi për Jetë dhe Punë” synon të zhvillojë kompetencat e studentëve për mësimdhënie efektive në fëmijërinë e hershme, duke u përqendruar në krijimin e shkathtësive bazike jetësore dhe profesionale. Kursi thekson rolin e familjes dhe përdorimin e teknologjisë si burim ndihmës në procesin edukativ.
Lënda “Metoda të Hulumtimit në Shkenca Sociale” synon t’i pajisë studentët me njohuri teorike dhe praktike për zhvillimin e hulumtimeve në fushën e shkencave sociale. Aftëson për përcaktimin e temave, hartimin e planeve dhe realizimin e projekteve hulumtuese, duke theksuar metodologjinë, aspektet etike dhe mendimin kritik.
Lënda “Vlerësimi dhe Vëzhgimi në Fëmijërinë e Hershme” ofron studentëve njohuri dhe praktika për punën efektive në këtë fazë zhvillimore. Kursi trajton metodat dhe mjetet e vlerësimit, udhëzon për kërkimin e përmbajtjeve bashkëkohore dhe zhvillon kulturën e arsimit të vazhdueshëm, duke promovuar bashkëpunimin me familjen dhe zhvillimin optimal të fëmijëve.
Lënda “Të Drejtat e Fëmijëve dhe Etika Profesionale” ofron njohuri të thelluara mbi konceptet themelore të të drejtës dhe etikës, me fokus në të drejtat e fëmijëve dhe standardet profesionale të mësimdhënësve. Kursi synon aftësimin për interpretimin dhe zbatimin praktik të këtyre të drejtave dhe etikës në mjedisin arsimor.
Lënda “Mësimi Praktik” synon që studentët të përvetësojnë shkathtësi në realizimin e praktikës pedagogjike në edukimin parashkollor. Kursi përfshin njohjen e profesionit të edukatorit, teoritë e të nxënit, komunikimin, menaxhimin e mjedisit mësimor dhe organizimin e veprimtarive praktike, duke fuqizuar aplikimin teorik në praktikë.
Lënda “Zhvillimi Profesional i Mësimdhënësve” synon njohjen e studentëve me rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm profesional për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Kursi trajton nocionet bazë dhe format e zhvillimit profesional, duke nxitur reflektim dhe krahasime rajonale mbi sfidat dhe zhvillimet në arsimin bashkëkohor.
Lënda “Të nxënit përmes lojës dhe lodrave” synon të theksojë rëndësinë e lojës si mjet themelor për të nxënë në fëmijërinë e hershme. Studentët fitojnë njohuri mbi llojet e lojërave dhe lodrave edukative, ndikimin e tyre në zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijëve dhe mënyrat e integrimit në procesin mësimor.
Lënda “Bazat e Shkencave Natyrore me Metodologji” synon aftësimin teorik e praktik të studentëve për organizimin dhe udhëheqjen e mësimdhënies në shkencat natyrore. Kursi trajton rolin e njeriut në raport me natyrën, ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e shkathtësive jetësore e profesionale për edukim cilësor.
Lënda “Punë dore me modelim” synon zhvillimin e shkathtësive logjike, artistike dhe kreative të studentëve në edukimin parashkollor. Ajo nxit imagjinatën dhe shprehjen figurative përmes vizatimit, modelimit dhe pikturimit, duke përdorur materiale të ndryshme. Përmes krijimtarisë, studentët eksperimentojnë, eksplorojnë dhe përpunojnë përvojën individuale.
Lënda “Dramatizmi dhe Shfaqjet me Kukulla” synon të zhvillojë aftësitë e studentëve për të përdorur dramatizimin dhe kukullat si mjete edukative në fëmijërinë e hershme. Fokuson rëndësinë e shprehjes artistike, komunikimit dhe kreativitetit përmes lojës me role, duke nxitur të nxënit aktiv dhe zhvillimin emocional e social të fëmijëve.
Lënda “Puna e fëmijëve të talentuar” synon të pajisë studentët me njohuri dhe strategji për identifikimin dhe mbështetjen e fëmijëve të talentuar në fëmijërinë e hershme. Trajton veçoritë e zhvillimit të tyre, nevojat arsimore dhe mënyrat për të stimuluar potencialin përmes aktiviteteve të përshtatura dhe qasjeve pedagogjike kreative.
Lënda “Mirëqenia e fëmijëve në familje” ofron njohuri për rolin e familjes në mirëqenien e fëmijëve, duke analizuar ndikimin e faktorëve socio-ekonomikë, punës së prindërve, dhunës dhe ndërhyrjeve institucionale. Synon të aftësojë studentët në identifikimin e strategjive mbështetëse dhe përmirësimin e politikave për mbrojtjen e fëmijëve.
Lënda “Psikologji e Kreativitetit” synon të ofrojë njohuri mbi proceset psikologjike që nxisin kreativitetin, veçanërisht gjatë fëmijërisë së hershme. Studentët mësojnë për faktorët që ndikojnë në zhvillimin e mendimit krijues dhe mënyrat për të stimuluar shprehjen krijuese te fëmijët përmes mjediseve mbështetëse dhe qasjeve të përshtatshme edukative.
Lënda “Strategjitë e edukimit në fëmijërinë e hershme” ka për qëllim që studentët të fitojnë dhe zbatojnë njohuri për strategjitë bashkëkohore të edukimit të fëmijëve. Përmes punimeve teorike dhe praktike, ata analizojnë rolin e familjes dhe shkollës si faktorë edukativë, si dhe krahasojnë qasje të ndryshme edukative.
Lënda “Komunikim dhe Kulturë të të folurit” synon të zhvillojë aftësitë komunikuese të studentëve dhe të theksojë rëndësinë e kulturës së të folurit në edukimin e hershëm. Përqendrohet në ndërtimin e marrëdhënieve efektive me fëmijët, prindërit dhe kolegët, si dhe në përdorimin e gjuhës së përshtatshme në mjedisin arsimor.
Lënda “Edukimi Qytetar” synon të pajisë studentët me njohuri dhe aftësi për të kuptuar dhe trajtuar tematika aktuale nga jeta shoqërore, përmes metodave bashkëkohore mësimore. Fokusohet në edukimin për të drejtat e njeriut, vlerat demokratike, etikën, multikulturalizmin, përfshirjen qytetare, mediat, konfliktet, problemet ekologjike dhe sjelljen qytetare, duke promovuar përgjegjësi shoqërore dhe përshtatje aktive në komunitet.
Lënda “Praktikë Pedagogjike” synon të përgatisë studentët për organizimin dhe udhëheqjen e procesit edukativ në institucionet parashkollore, përmes përvetësimit të njohurive teorike dhe zhvillimit të aftësive praktike. Kursi thekson qasjet bashkëkohore të edukimit, planifikimin me fëmijën në qendër, vëzhgimin dhe komunikimin ndërpersonal.
Lënda “Punim Diplome” synon të përgatisë studentët për realizimin e një hulumtimi shkencor përmes përvetësimit të njohurive metodologjike dhe aftësive praktike. Trajton hapat e hartimit të punimit – nga përzgjedhja e temës, dizajnimi i hulumtimit, mbledhja dhe analiza e të dhënave, deri te raportimi dhe vlerësimi i rezultateve, duke përfshirë qasje kuantitative, kualitative dhe mikse.