Juridik Civil

Qëllimi dhe profili i programit

Misioni i programit LLM Juridik Civil është që të pajisë studentët me njohuri të avancuara teorike dhe praktike në të drejtën civile, së bashku me ekspertizë në kërkimin shkencor, duke i aftësuar ata të analizojnë dilema komplekse ligjore dhe të propozojnë zgjidhje të drejta, inovative dhe profesionale që kontribuojnë në avancimin e drejtësisë dhe praktikës efektive ligjore. Objektivat e programit sigurojnë që studentët të jenë të pajisur dhe të përgatitur mirë për sukses akademik dhe profesional, si dhe për studime të mëtejshme.

Objektivat për programin LLM Juridik Civil janë:

Rezultatet e pritshme

Pas përfundimit me sukses të programit LLM në të Drejtën Civile, studentët do të demonstrojnë njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencat e mëposhtme:

Njohuri:

– demonstrojnë njohuri të avancuara, të integruara dhe të specializuara të së drejtës civile, duke përfshirë të drejtën pronësore, të drejtën kontraktuale, të drejtën familjare, markat tregtare, të drejtën bankare dhe të drejtën private evropiane;

– analizojnë dhe vlerësojnë në mënyrë kritike çështje komplekse ligjore dhe ofrojnë zgjidhje cilësore për sfidat bashkëkohore të së drejtës civile;

– zbatojnë ide origjinale dhe inovative brenda një konteksti kërkimor, duke adresuar çështje në fusha të tilla si arbitrazhi ndërkombëtar tregtar, falimentimi dhe ndërmjetësimi;

– integrojnë njohuri ndërdisiplinore nga fusha të tilla si e drejta e IT-së, procedurat kontestimore dhe metodologjia e kërkimit për të trajtuar problemet shumëdisiplinore në të drejtën civile;

– sintetizojnë dhe reflektojnë në mënyrë kritike mbi informacionin, konceptet dhe teoritë komplekse ligjore për të gjeneruar njohuri dhe perspektiva të reja në fushën e së drejtës civile;

– interpretojnë dhe komunikojnë në mënyrë efektive njohuritë, përfundimet dhe zgjidhjet ligjore me argumente dhe justifikime të shëndosha për audienca të ndryshme.

Shkathtësi:

– demonstrojnë aftësi të avancuara komunikimi verbal dhe me shkrim duke artikuluar argumente të qarta, bindëse dhe të arsyetuara mirë mbi çështjet e së drejtës civile;

– përdorin mjete moderne të teknologjisë së informacionit për të mbledhur, analizuar dhe shpërndarë në mënyrë efektive gjetjet e kërkimit brenda konteksteve akademike, profesionale dhe publike;

– kërkojnë, vlerësojnë dhe zbatojnë në mënyrë krijuese njohuritë ekzistuese në të drejtën civile për të zhvilluar qasje inovative ndaj dilemave ligjore;

– demonstrojnë respektimin e etikës ligjore dhe profesionale, duke ruajtur standarde të larta etike në procesin e vendimmarrjes dhe në avancimin profesional.

Kompetencat:

– analizojnë dhe vlerësojnë në mënyrë kritike raportet, studimet e rasteve dhe artikujt shkencorë për të formuluar përfundime logjike dhe për të paraqitur rekomandime praktike, të bazuara në prova;

– demonstrojnë aftësi organizative dhe udhëheqëse duke menaxhuar në mënyrë efektive përgjegjësitë në mjedise individuale dhe grupore, duke përfshirë drejtimin e ekipeve multidisiplinare;

– hartojnë dhe zbatojnë projekte kërkimore të pavarura, duke përfshirë metodologji të avancuara kërkimore dhe hartojnë tezën e masterit.

Niveli dhe grada akademike

Me përfundimin e studimeve, studentët fitojnë thirrjen akademike: Master në Juridik Civil (LL.M).

Kohëzgjatja e studimeve

Studimet në Programin Master Juridik Civil zgjasin 1 vit, me gjithsej 60 kredi ECTS të ndara në 2 semestra.

Semestri I

Metodologjia e Hulumtimit Shkencor 6 ECTS Obligative

Metodologjia e hulumtimit shkencor ka për qëllim t’u ofrojë studentëve konceptet themelore të metodave kërkimore për të realizuar në mënyrë të pavarur një hulumtim shkencor, një punim diplome, një shkrim apo prezantim akademik. Lënda do të fokusohet në pesë faza kryesore të kërkimit shkencor: të menduarit për hulumtimin; përgatitja e hulumtimit; mbledhja e të dhënave; analiza e të dhënave; dhe paraqitja e të dhënave.

E Drejta Private Evropiane 5 ECTS Obligative

Si rezultat i globalizimit dhe lëvizjes së vazhdueshme të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, e Drejta Ndërkombëtare po pëson ndryshime të vazhdueshme dhe po bëhet çdo ditë e më tepër një fushë me rëndësi dhe kompleksitet të shtuar. Lënda është dizajnuar në atë mënyrë që t’u mundësojë studentëve të fitojnë njohuri të thelluara mbi konceptet e të Drejtës Private Evropiane, duke përfshirë cilësimin, ridërgimin, çështjet paraprake, rendin publik dhe rregullat e detyrueshme.

Arbitrazhi Tregëtar Ndërkombëtar 5 ECTS Obligative

Qëllimi i lëndës “Arbitrazhi Tregtar Ndërkombëtar” është shpjegimi dhe analizimi i nocioneve të arbitrazhit tregtar ndërkombëtar si një mekanizëm privat alternativ në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare ndërkombëtare. Në këtë lëndë, theks i veçantë i kushtohet praktikës gjyqësore bashkëkohore, hartimit të parashtresave, dokumenteve procedurale dhe përgatitjes profesionale verbale të studentëve në raste praktike.

E Drejta Pronësore 5 ECTS Obligative

Qëllimi i lëndës “E Drejta Pronësore” është që të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme dhe analitike të parimeve dhe koncepteve themelore të së drejtës pronësore, duke u përqendruar në autorizimet themelore të saj, që janë: posedimi, shfrytëzimi dhe disponimi i sendit, si dhe trajtimin e mënyrave të fitimit të pronësisë, përkatësisht: mënyra derivative dhe mënyra origjinare.

E Drejta Bankare 5 ECTS Obligative

Qëllimi i lëndës “E Drejta Bankare” është që të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse të parimeve dhe koncepteve themelore të së drejtës bankare, duke u përqendruar në marrëdhëniet juridike civile, përkatësisht marrëdhëniet ndërmjet bankave dhe klientëve të tyre, si dhe trajtimin e llojeve të kontratave dhe transaksioneve ligjore.

6. Marka Tregtare 4 ECTS Zgjedhore

Qëllimi i lëndës është t’i pajisë studentët me njohuri nga e drejta tregtare si bazë për mësimin e rregullave juridike për ushtrimin e ndonjë veprimtarie të caktuar tregtare. Gjithashtu, qëllimi i së drejtës komerciale është të rregullojë të drejtat, marrëdhëniet dhe sjelljen e individëve dhe bizneseve që merren me tregti dhe shitje, si dhe vendosjen e rregullave për kontratat tregtare, duke siguruar qartësi dhe drejtësi në marrëveshjet e biznesit.

E Drejta Familjare Krahasimore 4 ECTS Obligative

Në kuadër të lëndës, studentët do të avancohen dhe zhvillohen me njohuri, shkathtësi dhe kompetenca për të Drejtën Familjare Krahasimore, etapat e zhvillimit të së drejtës familjare, burimet e së drejtës familjare në aspektin ndërkombëtar, konceptet për familjen, parimet në marrëdhënien juridike martesore, format e zgjidhjes së martesës në aspektin krahasues, etj.

Semestri II

E Drejta Kontraktore Evropiane 5 ECTS Obligative

Në këtë lëndë do t’i kushtohet kujdes problemeve të përgjithshme të interpretimit të gjuhës së kontratës, rolit të kontratave në një shoqëri tregu, konflikteve mes nevojës për siguri komerciale dhe kërkesave të drejtësisë individuale në Bashkimin Evropian. Në këtë lëndë shqyrtohen llojet e ndryshme të kontratave që hasen në botën e biznesit, me theks të veçantë në kontratat për shitblerje ndërkombëtare të mallrave.

E Drejta e Procedurës Kontestimore 5 ECTS Obligative

Përmes aktiviteteve në kuadër të lëndës, studentët do të avancohen dhe zhvillohen me njohuri, shkathtësi dhe kompetenca për zhvillimin historik të procedurës kontestimore, raportin e saj me procedurën jokontestimore dhe atë përmbarimore, aspektin krahasues të procedurës kontestimore, si dhe zhvillimin e saj praktik – përfshirë paraqitjen e padisë në gjykatë, shqyrtimin paraprak të padisë, ndryshimin e padisë dhe përgjigjen ndaj saj, etj.

E Drejta e TI-së 5 ECTS Zgjedhore

Qëllimi i lëndës “E Drejta e TI-së” është t’i informojë studentët mbi teknologjinë informative, praktikat dhe kornizën ligjore që mbron të dhënat personale dhe privatësinë në epokën digjitale; t’u ofrojë njohuri mbi kontratat elektronike dhe rregulloret që zbatohen në tregtinë elektronike; si dhe të zhvillojë aftësi analitike për të vlerësuar ndikimin e teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale (AI), në kuadrin ligjor dhe rregullator.

Ndërmjetësimi 5 ECTS Zgjedhore

Përmes aktiviteteve në kuadër të metodologjisë së mësimdhënies, nga kjo lëndë studentët do të avancohen dhe zhvillohen me njohuri, shkathtësi dhe kompetenca për zhvillimin historik të ndërmjetësimit, ndërmjetësimin si pjesë e sistemit juridik, kontestin dhe mosmarrëveshjen në raporte shoqërore, si dhe zgjidhjen e kontesteve përmes ndërmjetësimit në marrëdhëniet juridike civile, etj.

E Drejta e Falimentimit 5 ECTS Zgjedhore

Falimenti i shoqërive tregtare është një temë me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë financiare të një vendi. Në këtë kontekst, trajtimi i parimeve të së drejtës së falimentit është i domosdoshëm për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent. Kjo përfshin mbrojtjen e kreditorëve dhe sigurimin që të drejtat e tyre të respektohen, duke u ofruar mundësinë për të rimarrë një pjesë të borxheve të tyre.

Tema e masterit- 15 ECTS Obligative