Programi studimor Bachelor Profesional në Programim synon të përgatisë programues profesionistë që zbatojnë arritjet më të fundit të programimit për të zgjidhur problemet e zhvillimit të softuerit me të cilat përballen organizatat apo kompanitë.
Programi “Shkenca Kompjuterike (BSc)” e përgatit studentin për të gjitha fazat që kalon një produkt, duke filluar nga kërkesat, menaxhimi, analiza e kërkesave, përkufizimi i teknologjisë, dizajnimi dhe krijimi i bazave të të dhënave, zhvillimi i aplikacioneve, testimi, instalimi, shpërndarja si dhe mirëmbajtja e produktit/aplikacionit, siguria, etj. Në kontrast, programi Bachelor Profesional në Programim fokusohet vetëm në pjesën e programimit/zhvillimit të produktit.
Si program profesional, kurrikula krijon më shumë hapësirë për studentët e interesuar vetëm në fushën e zhvillimit/programimit, duke i ndihmuar ata të kuptojnë konceptet më themelore deri te ato të avancuara të programimit. Ai u mundëson studentëve të specializojnë aftësitë e tyre në më shumë gjuhë programimi dhe gjuhë skriptimi, të zhvillojnë aplikacione desktop, web dhe mobile, si dhe të mësojnë teknika dhe strategji të ndryshme programimi.
Pas përfundimit me sukses të programit profesional Bachelor në Programim, studentët pritet të demonstrojnë njohuritë, aftësitë dhe kompetencat si në vijim:
-Të përkufizojnë dhe shpjegojnë konceptet kyçe të programimit;
-Të kuptojnë në mënyrë kritike teoritë dhe parimet e programimit;
-Të përshkruajnë procesin e zhvillimit të një produkti softuerik;
-Të analizojnë probleme, të identifikojnë dhe të përcaktojnë masat e nevojshme gjatë dizajnimit dhe zhvillimit të sistemeve softuerike me kompleksitete të ndryshme.
-Të demonstrojnë njohuri dhe kuptim të metodave të zhvillimit të softuerit, përfshirë teknikat bashkëkohore të mbledhjes së të dhënave;
-Të zbatojnë njohuritë teorike nga teknologjia e informacionit, bazat e matematikës, parimet e algoritmeve, teknikat dhe mjetet moderne gjatë modelimit dhe dizajnimit të produkteve softuerike;
-Të përdorin mendimin analitik dhe kritik për të zgjidhur probleme, duke u bazuar në njohuri të detajuara të një ose më shumë specializimeve të programimit;
-Të komunikojnë në mënyrë efektive (gojarisht dhe me shkrim) në gjuhën shqipe dhe angleze për projekte dhe analiza të ndryshme në fushën e programimit.
-Të zhvillojnë aplikacione desktop, web apo mobile, të përdorshme nga një gamë e gjerë përdoruesish;
-Të projektojnë dhe të zbatojnë testime për identifikimin e gabimeve në softuer;
-Të riparojnë gabimet në softuer, të ridizajnojnë dhe riorganizojnë kodin sipas nevojës;
-Të përdorin, analizojnë dhe kritikojnë kodet e shkruara nga të tjerët.
Programi i Studimit BA Profesional në Programim është program profesional i nivelit Bachelor (BA), përkatësisht i nivelit VI të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK-së). Në përputhje me kërkesat e KKK-së, programi Bachelor Profesional në Programim përpos që ju ofron studentëve bazë për progres në studimet e mëtejme, i siguron atyre hyrje në punësim profesional.
Studimet në Programin BA profesional në Programim zgjasin 3 vite, 180 ECTS me gjithsej 6 semestra.
Secili semestër duhet të plotësojë kuotën e 30 ECTS.
Lënda Hyrje në programim ka për qëllim aftësimin e studentëve me programimin kompjuterik dhe përvetësimin e praktikave fillestare në të shkruajturit e kodit në zgjidhjen e problemeve. Kjo lëndë është një lëndë kryesore në Shkencat Kompjuterike, dhe është një lëndë e rëndësishme si parakusht për modulet e tjera të përparuara të programimit.
Kursi synon t’u ofrojë studentëve një hyrje në procesin e menaxhimit të projekteve, duke i aftësuar në menaxhimin e burimeve si koha, buxheti dhe stafi, si dhe t’i përgatisë për kontrollin e cilësisë, komunikimin efektiv dhe menaxhimin e rreziqeve gjatë realizimit të projekteve.
Qëllimi i lëndës është t’u ofrojë studentëve njohuritë themelore në lidhje me bazat e të dhënave, konceptet themelore, llojet e ndryshme të databazave dhe pse hartimi i bazës së të dhënave është kaq i rëndësishëm. Për më tepër, të paraqesë një hyrje në sistemet e menaxhimit të bazës së të dhënave, me theks të veçantë në mënyrën se si të organizohet, mirëmbahet dhe të merret – në mënyrë efikase dhe efektive – informacioni nga një bazë e të dhënave.
Qëllimi kryesor i lëndës është që studentët të aftësohen me njohuri lidhur me temat: bashkësitë, logjikën matematike, numrat realë, matematikën diskrete, ekuacionet lineare dhe inekuacionet lineare me një të panjohur, matricat, përcaktorët, sistemet e ekuacioneve lineare, funksionet lineare, vargjet dhe seritë, limiti i funksionit dhe derivatet e funksionit. Të gjitha këto do të shtjellohen duke vënë theksin në shkencat kompjuterike.
Lënda Big Data synon të pajisë studentët me njohuri themelore mbi teknologjinë Big Data dhe llojet e të dhënave të strukturuara dhe të pastrukturuara. Studentët do të mësojnë teknologjitë kryesore të Big Data, si dhe sfidat dhe zgjidhjet që lidhen me sigurinë e saj.
Kjo lëndë synon zhvillimin e aftësive gjuhësore të studentëve në kontekstin e shkencave kompjuterike, duke përfshirë leximin, dëgjimin, të folurit dhe të shkruarit. Përmbajtja mbulon gramatikën dhe funksionet gjuhësore bazike, si dhe ushtrime praktike për të gjitha aftësitë gjuhësore.
Qëllimi i lëndës është të përgatisë studentët me njohuri mbi algoritmet dhe efikasitetin e tyre në aspektin kohor dhe hapësinor. Studentët do të mësojnë struktura të të dhënave, zgjidhjen logjike të problemeve dhe do të zhvillojnë aftësi praktike përmes implementimit të algoritmeve në një gjuhë programuese.
Lënda ka për qëllim të aftësojë studentët me konceptet dhe teknikat e programimit të orientuar në objekte duke përdorur gjuhën programuese C#. Theksi vihet mbi bazat e dizajnit me klasa, duke përfshirë zhvillimin, testimin, implementimin dhe dokumentimin. Përmes gjuhës programuese C# ilustrohen vetitë e avancuara të programimit, si: trashëgimia, mbingarkesat dhe polimorfizmi.
Në mënyrë specifike, lënda synon të aftësojë studentët në njohjen e karakteristikave të bazave të të dhënave dhe sistemeve moderne të menaxhimit të tyre. Studentët do të mësojnë modelimin ER, SQL, normalizimin, ndërtimin dhe optimizimin e bazave të të dhënave, si dhe përdorimin e procedurave, trigerëve dhe funksioneve.
Lënda ka për qëllim t’u ofrojë studentëve njohuri të thella, kritike dhe sistematike për parimet dhe teknikat e specifikimit sistematik dhe softuerik; analizë dhe dizajn; programim, testim dhe vlerësim; mirëmbajtje dhe menaxhim të projektimeve të aplikacioneve softuerike efikase, si dhe të mësojnë që shkathtësitë e fituara teorike dhe praktike t’i zbatojnë në sektorin e industrisë dhe të biznesit.
Qëllimi i lëndës Teoria e Grafeve me Kombinatorikë është të pajisë studentët me njohuri themelore dhe të avancuara për grafet, strukturat diskrete dhe metodat kombinatorike. Lënda ndihmon në zhvillimin e aftësive analitike për zgjidhjen e problemeve në informatikë, rrjete kompjuterike, optimizim dhe algoritme.
Qëllimi i kësaj lënde është të prezantojë studentëve themelet e shkencës së të dhënave dhe teknikat e programimit në Python për analizën e të dhënave. Studentët do të përdorin gjuhën Python së bashku me bibliotekat për përpunimin e të dhënave, vizualizimin dhe analizimin e të dhënave.
Qëllimi i lëndës është të pajisë studentët me njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e nevojshme për të dizajnuar, ndërtuar dhe implementuar aplikacione funksionale, efikase dhe miqësore për përdoruesit. Studentët do të zhvillojnë aftësi praktike në përdorimin e teknologjive bashkëkohore dhe metodologjive të dizajnit të ndërfaqeve interaktive, duke pasur në fokus përvojën e përdoruesit.
Qëllimi kryesor i lëndës është t’u ofrojë studentëve njohuri në zhvillimin e aplikacioneve mobile. Në mënyrë specifike, lënda synon të prezantojë parimet e dizajnit të aplikacioneve me React Native, dizajnin me Flexbox, përdorimin e animacioneve dhe integrimin e bibliotekave për elemente të avancuara vizuale.
Qëllimi i këtij moduli është të përgatisë studentët për të zhvilluar aftësi të nevojshme në krijimin e aplikacioneve desktop përmes gjuhës programuese C# dhe platformës Windows Forms. Përveç zhvillimit teknik të këtyre aftësive, një theks i veçantë vendoset në aspektin e bashkëpunimit dhe punës në grup.
Lënda synon t’i njoftojë studentët me konceptet kryesore të ueb faqeve të përgjegjshme dhe të kontribuojë në procesin e dizajnimit duke shtjelluar përvojën e përdoruesit, arkitekturën e informacionit, dizajnin vizual, zhvillimin dhe testimin. Studentët aftësohen në dizajn kreativ, përzgjedhjen e specifikave teknike, njohjen e pajisjeve të ndryshme dhe përdorimin e teknologjive moderne si HTML5 dhe CSS3.
Qëllimi i lëndës është të zbulojë, të kuptojë dhe të përdorë teknologjitë dhe konceptet e ndërlidhura me rrjetin e pajisjeve në mënyrë që të krijojë mjedisin e duhur për zhvillimin, implementimin dhe menaxhimin e sistemeve të përkryera të ndërlidhura, që përmirësojnë cilësinë e jetës, produktivitetin, dhe efikasitetin në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, industrinë, infrastrukturën urbane, dhe sferat e tjera të ndikimit të teknologjisë në shoqëri.
Lënda synon të pajisë studentët me njohuri praktike për programimin e ueb-shërbimeve që mundësojnë komunikimin ndërmjet aplikacioneve të ndryshme, pavarësisht platformës apo teknologjisë. Fokus i veçantë i jepet programimit të ueb-shërbimeve SOAP dhe RESTful, si dhe konsumimit të tyre në aplikacione moderne.
Qëllimi i lëndës është të pajisë studentët me njohuri të avancuara për zhvillimin e aplikacioneve mobile me React Native. Studentët do të mësojnë ndërtimin e logjikës së biznesit për aplikacione ndër-platformë, përdorimin e bibliotekave si Redux/Mobx dhe integrimin e API-ve për menaxhimin efektiv të të dhënave.
Qëllimi kryesor i kësaj lënde është që studentët të fitojnë njohuri rreth koncepteve themelore të testimit të softuerit dhe aplikimin e tij në skenarë të ndryshëm me ndihmën e strategjive, metodave dhe mjeteve të ndryshme të testimit.
Qëllimi i këtij kursi është të mësojë studentët se si të përdorin Python për të analizuar të dhënat në një kontekst biznesi. Kursi fillon me bazat e programimit Python dhe më pas vazhdon me aftësi praktike si puna me të dhëna duke përdorur librari të tilla si NumPy, Pandas, Matplotlib.
Lënda synon të aftësojë studentët me konceptet kryesore të rrjetave dhe topologjive, modelin shtresor OSI dhe protokollet e komunikimit. Studentët do të njohin multipleksimin, klasat e IP (IPv4 dhe IPv6), subnetimin, teknologjinë Ethernet, funksionimin e switch-it, rrjetet mobile, Wi-Fi, si dhe llojet e kabllimit dhe zgjidhjen e problemeve në rrjete kompjuterike.
Lënda e “Web Framework” është projektuar me qëllim të ofrojë studentëve njohuri thelbësore dhe aftësi praktike në ndërtimin e aplikacioneve web efikase dhe inovative. Përqendrimi kryesor i kësaj lënde është të ofrojë një kuptim të thellë në strukturën dhe funksionalitetin e “web frameworks,” duke lejuar studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre në zhvillimin e aplikacioneve web.
Lënda u mëson studentëve si të përdorin konceptet e programimit të orientuar në objekte në zhvillimin e lojërave, duke përdorur librarinë grafike 2D JavaFX. Po ashtu, studentët aftësohen në përdorimin e IDE-së NetBeans për të krijuar lojëra në gjuhën programuese Java në mënyrë praktike.
Lënda synon të aftësojë studentët me njohuri bazë dhe metoda të inteligjencës artificiale, duke përfshirë njohjen dhe aplikimin e agjentëve inteligjentë. Studentët do të vlerësojnë, analizojnë dhe krahasojnë agjentët dhe ambientet e tyre, si dhe do të mësojnë të zbatojnë metoda të të mësuarit makinor në zgjidhjen e problemeve.
Qëllimi i lëndës së projektit është të ofrojë studentëve përvojë praktike në zhvillimin e aplikacioneve web dhe mobile, duke u bazuar në njohuritë e fituara më parë. Lënda nxit punën në grup, ndarjen e përgjegjësive dhe aftësitë sociale e profesionale për menaxhimin e projekteve në fushën e teknologjisë.
Qëllimi kryesor i lëndës “Siguria e aplikacioneve” është të aftësojë studentët me njohuri mbi konceptet dhe teknikat moderne të sigurisë për aplikacione web, mobile dhe desktop. Lënda inkurajon hulumtimin, shqyrton praktikat e sigurta të kodimit dhe menaxhimin e konfigurimit të sigurisë, me fokus te aplikacionet web.
Lënda do të mbulojë një gamë të gjerë të qasjeve konceptuale, nga kërkimi kombinatorik në arsyetimin probabilistik dhe të mësuarit e makinës, si dhe një gamë të gjerë të aplikacioneve, nga kuptimi i gjuhës natyrale në vizionin kompjuterik. Ligjëratat do të theksojnë jo vetëm konceptet teknike, por edhe historinë e ideve që qëndrojnë prapa tyre.
Lënda synon të zhvillojë njohuritë dhe aftësitë e studentëve në kuptimin dhe menaxhimin e infrastrukturave cloud për shfrytëzim efikas të burimeve virtuale. Studentët mësojnë përshtatjen e aplikacioneve për pajisjet mobile, menaxhimin e performancës, zhvillimin e aplikacioneve inovative dhe integrimin e platformave cloud me mobile për përvojë optimale përdoruesi.
Ky kurs është një studim i koncepteve dhe parimeve bazë të Informatikës dhe Sistemeve të Shpërndara. Kursi përfshin tema bazë si përkufizimi i sistemit të shpërndarë, sfidat e projektimit, modelet arkitekturore, modeli klient-server, API, RMI. Studentët do të jenë në gjendje të identifikojnë tipet, arkitekturat dhe proceset e sistemeve të shpërndara, si dhe do të familjarizohen me sistemet e shpërndara të bazuara në Web.
Qëllimi kryesor i Temës së Diplomës është t’i mundësojë studentëve të shkruajnë një tezë përmes një procesi të vazhdueshëm dhe të përqendruar. Shkrimi, prezantimi dhe hulumtimi ndërveprojnë për të arritur cilësinë dhe ekselencën e projektit final.